Dani Olmo dhe Pau Victor janë përfshirë në lisën e skuadrës së Barcelonës për Superkupën e Spanjës, pavarësisht se aktualisht të dy lojtarët nuk mund të luajnë për klubin.

Trajneri Hansi Flick publikoi grupin me lojtarët që janë thirrur për Superkupën e Spanjës, që do të luhet në Arabinë Saudite. Blaugranat përballen në gjysmëfinale me Atletik Bilbaon më 8 Janar.

Të dy futbollistët munguan në fitoren kundër Barbastros në Kupën e Mbretit më 4 Janar. Drejtuesit blaugrana shpresojnë se do t’i regjistrojnë të dy futbollistët brenda javës.

Hapi i radhës do të jetë që t’i drejtohen gjykatës për të apeluar vendimin nga La Liga dhe federata spanjolle.

Institucioni i futbollit dhe La Liga refuzuan kërkesën e katalanasve për t’i regjistruar të dy lojtarët për pjesën e dytë të sezonit, duke argumentuar se një leje e anuluar nuk mund të rijepet për një futbollist nga i njëjti klub në të njëjtin sezon.

Më herët dy gjykata kishin vendosur kundër kërkesës së Barcelonës. Të përfshirë në skuadër janë edhe Lamine Yamal, Andreas Christensen, Hector Fort dhe Ferran Torres, të cilët kanë qenë jashtë për shkak të dëmtimeve.

Marc Bernal është gjithashtu në listë ndërsa mediat spanjolle raportojnë se ai i kërkoi teknikut gjerman që të udhëtonte me ekipin në Arabinë Saudite ndërsa po vazhdon rekuperimin pas lëndimit.

Edhe Toni Fernandez është gjithashtu në listën e skuadrës pasi bëri debutimin e tij me ekipin e parë në Kupën e Mbretit.

Klan News