Sulmuesi i talentuar spanjoll, Lamine Yamal, ka fituar çmimin e veçantë “Golden Boy”, për vitin 2024.
Ky çmim, jepet çdo vit për lojtarin më të mirë në Evropë nën 21 vjeç, nga “Tuttosport” në Itali.
Yamal ishte favoriti absolut për ta fituar, kjo për shkak të arritjeve të mëdha që ka pasur gjatë vitit 2024. E gjitha kulmoi në verë, kur u shpall kampion Evrope me Spanjën, ku 17-vjeçari ishte vendimtar me paraqitjet e tij.
Në listën me 25 emra, bënin pjesë edhe lojtarë si Kobbie Mainoo, Alejandro Garnacho, Kenan Yildiz, Samuel Mbangula, Endrick dhe Arda Güler, por Yamal mposhti konkurrencën e të gjithëve.
Yamal bëhet lojtari i tretë i Barcelonës që fiton çmimin gjatë katër sezoneve të fundit, pas sukseseve të Pedrit në vitin 2021 dhe Gavit në vitin 2022. /tvklan.al