Barcelona ka humbur një tjetër apel për federimin e Dani Olmo, për të angazhuar lojtarin në ndeshjet e mbetura të sezonit në kampionatin spanjoll të futbollit. Barcelona bleu Olmo në gusht për rreth 55 milionë euro, por klubi nuk arriti të përmbushte kërkesat e La Liga për nivelin e pagave për futbollistët kështu që mesfushori sulmues u regjistrua vetëm për gjysmën e parë të sezonit.

Klubi arriti të regjistrojë Olmo pasi dëmtimet afatgjata i mbajtën lojtarët e ekipit të parë jashtë skuadrës për muaj të tërë, duke i lejuar Barçës të caktonte një pjesë të pagës së tyre për të regjistruar 26-vjeçarin, së bashku me sulmuesin Pau Victor.

Të premten, Gjykata Tregtare numër 10 e Barcelonës refuzoi kërkesën e klubit për të regjistruar përkohësisht Olmo, dhe Gjykata e Shkallës së Parë numër 47 e Barcelonës ra dakord me këtë vendim të këtë të hënë më 30 dhjetor. Sipas La Liga, gjykata kundërshtoi regjistrimin paraprak të Olmo, pasi asnjë nga parakushtet e nevojshme për miratimin e masës paraprake nuk u përmbush. Vendimi fillestar për të mos regjistruar Olmo u mor nga Organi i Valerësimit të Buxhetit të La Liga-s.

Ky vendim u konfirmua më pas në tre apele të veçanta si Komisioni i saj i Fair Play Financiar, Komisioni i Apelit Social dhe nga Komisioni i Licencimit të Shkallës së Dytë të UEFA-s i Federatës Spanjolle të Futbollit. Barcelona nuk pati sukses as në rrugën gjyqësore. Tani, e vetmja gjë që u ka mbetur Blaugranas është që La Liga të vërtetojë dokumentacionin për shitjen e vendeve VIPS në Camp Nou të ardhshëm.

Tv Klan