Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, e ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të yllit brazilian Neymar te Barcelona. Sulmuesi i Al-Hilal do të jetë një futbollist i lirë në verë.
Blaugranat kanë qenë në kërkim të një sulmuesi të krahut të majtë në merkaton e fundit, të njëjtin rol që 32-vjeçari ka mbuluar te blaugranat. Para se të kalonte në skuadrën aktuale Al-Hilal në Arabinë Saudite, Neymar ishte përfolur për një rikthim te blaugranat, si një alternativë ndaj Lionel Messit, me argjentinasin që po negocionte kalimin tek Interi Miami.
Deco shpjegoi se pagat e brazilianit e kanë bërë të pamundur ndonjë ofertë të mundshme nga Barcelona.
“Kthimi i Neymarit te Barcelona ka qenë gjithmonë shumë larg! Që kur ai u transferua në Arabinë Saudite, ne e dinim se ai ishte një lojtar shumë i shtrenjtë, veçanërisht për sa i përket fair-playt financiar. Neymar është një nga lojtarët më të mirë në botë! Ai do të jetë gjithmonë! Ai është i mirëpritur në çdo klub në botë. Një marrëveshje me të nuk mund të përjashtohet kurrë, por tani e shoh atë të kthehet në Brazil!”, tha Deco.
Neymar po rigjen formën pas një dëmtimi në gju, që pësoi që kur u transferua në Arabinë Saudite. Gjatë kohës së tij te Al-Hilal, Neymar ka bërë vetëm 7 paraqitje.
Sipas mediave braziliane, Neymar ka rënë dakord për një transferim te Santos në formë huazimi për pjesën tjetër të këtij sezoni. Më pas, do të jetë i lirë të bashkohet me cilindo klub që dëshiron si futbollist i lirë.
Braziliani do të mbushë 33 vjeç në Shkurt dhe ka qenë jashtë fushës për shkak të lëndimeve për shumicën e tre viteve të fundit, por Presidenti i Barcelonës Joan Laporta gjithnjë ka qenë pro firmës me yjet e futbollit.
Klan News