Për herë të parë, programi “Histori Shqiptare” në Tv Klan eksploron një nga zonat më të pashkelura të Shqipërisë. Një shteg në zemër të bjeshkëve të Tropojës, në një masiv pyjor të mbrojtur nga UNESCO për pasurinë e rrallë që përfaqëson.

Lumi i Gashit është quajtur në këtë udhëtim të programit “kopshti shqiptar i Edenit”. Shtegu është i vështirë, ndërsa ndalesat nuk e ngadalësojnë aspak  udhëtimin por e pasurojnë me historitë njerëzore që gjenden në to.

Në ndalesën e stanit në bjeshkën e Koshoticës të Bashkim Rustës, përveçse pamja e pyllit është mahnitëse dhe stani i tij prej guri gjendet buzë lumit të Gashit, mund të mësosh se si është procesi i ndërtimit.

Bashkim Rusta: Druri, po të jetë hëna poshtë jeton më shumë. Po të jetë hëna e hapur, jeton më pak.

Alma Çupi: Hëna e hapur i thoni hëna rrumbullake?

Bashkim Rusta: Rrumbullake, kur është e plotë. Për 3 ditë bëhet hëna e re. atëherë duhet prerë druri  sepse jeton më shumë. Në fakt, në vend që të jetojë 10 vjet, jeton 20 vjet me këtë hënë.

Alma Çupi: Ku e ke mësuar ti këtë, ta ka thënë babai?

Bashkim Rusta: Babi, pleqtë e vjetër.

Alma Çupi: Dhe gurët i ke marrë nga lumi që ke bërë…

Bashkim Rusta: nga lumi.

Alma Çupi: Po si, i ke latuar vetë?

Bashkim Rusta: Vetë.

Peshku është i pranishëm në lumin e Gashit dhe ata pak banorë që gjenden aty, kanë një metodë unike për të peshkuar.

Bashkim Rusta: Këtu ka peshk, edhe peshkun e mban fort të bukur, në Evropë nuk ka më të bukur.

Alma Çupi: Peshku?

Bashkim Rusta: Jo, nuk ka. Edhe trofta, e ka si Valbona.

Alma Çupi: Ka peshk të egër ky lumë?

Bashkim Rusta: Të bukur fort, pa hala hiç fare, e ha të gjallë.

Alma Çupi: Peshkon ti?

Bashkim Rusta: Këtu nuk gjuajmë, vetëm është një bimë bar peshku e quajmë ne, por akoma s’është pjekur. Nga 15 gushti piqet.

Alma Çupi: Gjuan me atë barin?

Bashkim Rusta: Me atë barin, e merr, e korrim, e marrim në dorë, shkojmë atje, e lagim me ujë dhe e rrahim në një gur. Bën shkumë dhe i trullos e dalin, i kapim.

Alma Çupi: Po tallesh, i kapni me dorë?

Bashkim Rusta: Po se i trullos e dalin, tak dhe rrotullohen me bark sipër.

/tvklan.al