Liqeni i Butrintit në jug të Shqipërisë, i cili shtrihet përgjatë bregut të detit Jon krahasohet me Maldivet nga turistët. Kjo falë ujërave të tij mahnitëse, plazheve me rërë të bardhë dhe klimës së ngrohtë të verës. Kështu shkruan Rom Preston-Ellis në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.
Ndërsa destinacionet klasike të pushimeve në Evropë po bëhen gjithnjë e më të mbipopulluara këtë verë, turistët janë në kërkim të vendeve më të qeta.
Sipas gazetës britanike, Butrinti në Shqipëri plotëson të gjitha kërkesat për një arratisje ëndrrash, me motin e tij të mrekullueshëm, ujërat e kaltra e të pastra kristal dhe rrënojat e lashta romake.
Gjatë vizitës në Butrint mund të shijoni shtigjet e natyrës, eksploroni historinë dhe përvojën thelbësore të pushimeve në plazh.
Parku Kombëtar i Butrintit i listuar në UNESCO shtrihet në një sipërfaqe prej 9,424 hektarësh me peizazhe të ndryshme, duke përfshirë kodra, liqene, ligatina dhe këneta të kripura.
Ky park është shtëpia e qytetit historik të Butrintit.
E kaluara e pasur e zonës shfaqet përmes grupit të saj të relikeve të mirëmbajtura që datojnë nga shekujt IV deri në XIX.
Vizitorët mund të shijojnë shkëlqimin natyror, të mrekullohen me rrënojat e lashta, të eksplorojnë kalanë dhe madje të hipin në një traget për të shkuar në një kështjellë të çuditshme veneciane përtej Kanalit të Vivarit, ku ndodhen shumë ndërtesa romake dhe otomane.
Gjithashtu, pushuesit mund të zgjedhin të qëndrojnë në Sarandë, një qytet piktoresk turistik vetëm 30 minuta larg me makinë, i njohur për gjirin e tij mahnitës, plazhet me rërë, shëtitoren magjepsëse dhe kalanë historike të shekullit XVI.
Klan News