Krerët më të lartë të institucioneve europiane kanë uruar kryeministrin Berisha për riemërimin e tij në krye të kabinetit të ri qeveritar. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i rizgjedhur edhe ai të mërkurën në këtë detyrë, në një mesazh dërguar kreut të qeverisë shqiptare, thotë se në emër të tij dhe të ekzekutivit europian, shpreh kënaqësinë në rizgjedhjen e kryeministrit dhe miratimin nga parlamenti.
Jose Manuel Barroso: “Tani që ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe vendi juaj ka aplikuar për anëtarësim në BE, Komisioni Evropian beson se qeveria juaj do të tregoj vendosmëri në përmbushjen e sfidave drejt integrimit evropian, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve të vendit tuaj në këtë proces.”
Zoti Barroso thekson gjithashtu se Shqipëria ka dëshmuar vullnetin e saj në nxitjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe shpreh besimin se vendi ynë do të luaj një rol konstruktiv në rajon.
Një tjetër mesazh urimi për riemërimin në krye të qeverisë kryeministri Berisha ka marrë edhe nga komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn.
Olli Rehn: “Shqipëria ka treguar gatishmërinë e saj për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian. Ju keni aplikuar për anëtarësimin në bllok dhe deri tani keni treguar një progres të mirë në plotësimin e kërkesave të nevojshme për liberalizimin e vizave. Megjithatë ekziston nevoja për përpjekje të mëtejshme. Komisioni mbetet i përkushtuar në mbështetjen e Shqipërisë në rrugën dretj Burkselit. E ndërsa zgjedhjet kanë përfunduar duke plotësuar shumicën e standardeve të OSBE-së, Shqipëria ka sfida të rëndësishme në avancimin e reformave.”
Zoti Rehn nënvizon faktin se parlamenti dhe kryeministri kane një rol të rëndësishëm në këtë kontekst dhe shpreh nevojën e bashkëpunimit të të gjitha forcave politike.
Ai inkurajon qeverinë e re që të kapërcejë sfidat që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimin, për të përmbushur atë që ai e cilëson si objektiv të përbashkët të Shqipërisë dhe bllokut, për ta anëtarësuar vendin tonë në familjen europiane./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle