Ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga opozita që implikon atë dhje familjarët e tij në lidhje biznesi me boshnjakun Damir Fazlliç. Këtë deklaratë Basha e bëri gjatë seancës të së hënës, ku i është drejtuar kreut të selisë rozë Rama, duke e akuzuar atë për shpifje dhe mashtrim.

Lulzim Basha: “Dëshiroj t’i përgjigjem shpifjeve dhe akuzave ndaj meje dhe familjarëve të mi. Le të regjistrohet se nga kjo foltore, unë deklaroj sot me përgjegjësi të plotë, se zoti Fazlliç nuk ka marrë dhe as përfituar asnjë qindarkë nga fondet dhe asetet publike gjatë drejtimit tim të ministrive përkatëse. Po kështu pa paragjykuar aspak lirinë dhe të drejtën e çdokujt, për të zhvilluar lirisht ndërmarrjen ekonomike dhe lirinë e ndërmarrjes në Shqipëri, deklaroj se midis zotit Fazlliç dhe meje apo familjarëve të mijë nuk është zhvilluar kurrë asnjë biznes i përbashkët dhe asnjë aktivitet ekonomik. Të verbuar nga histeria, zoti Rama dhe hijet e tij akoma nuk i kanë thënë shqiptarëve, se për çfarë konkretisht akuzojnë, për çfarë ligjesh të shtetit, për çfarë veprash të konsumuara. Çdo pretendim i kundërt për sa më sipër është i pavërtetë, çdo kush që pretendon të kundërtën shpif dhe mashtron”

Reagimi i ministrit Basha vjen pas akuzave të opozitës, se ai ka bashkëpunuar me Damir Fazlliç në disa aktivitete biznesi, të cilat opozita i konsideroi si korruptive në kundërpërgjigje Basha këto akuza i quajti manovra të ulëta politike të lidershipit socialist./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Izmir Hajdari