Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal për të biseduar me pedagogë dhe studentë për të shpalosur para tyre programin e tij për arsimin. Basha u shpreh se më 25 Prill duhet ndryshuar totalisht kursi pasi vetëm në këtë mënyrë fitojnë qytetarët.

Kryeopozitari u shpreh se plani i selisë blu është real. Edhe njëherë përsëriti para tyre se nuk premton, por merr angazhime reale. Basha thotë se do të fokusohet tek kualifikimi në arsimin e lartë. Kryedemokrati u shpreh se me planin e tij ka mjaftueshëm financa për të mos lënë asnjë të ri shqiptar pa studiuar.

“Roli i qeverisë duhet të jetë i madh. Pani ynë është konkret. Nuk ka asnjë premtim, por angazhim real. Dua të fokusohem te kualifikimi në arsimin e lartë. Kjo u mundëson të rinjve jo thjeshtë të diplomohen, por të dalin me afërsi për t’u integruar në tregun  punës. E para shteti, jo thjeshtë të jetë arbitër, por të investojë fuqimisht në politika dhe financa. Një komunikim i institucionalizuar, plane dhe financa dhe projekte të dedikuara. Kam parasysh edhe financat e buxhetit të shtetit dhe financat e BE. Kjo do të thotë që ne nuk duhet të lëmë asnjë bij shqiptari të mbetet pa mundësinë për të ndjekur universitetin për shkak të pamundësive ekonomike. Në planin tonë kemi realizuar mjaftueshëm financa”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike shtoi se me programin e tij, 1 në çdo 3 studentë do të ketë praktikë 1-vjeçare të paguar me 300 mijë lekë. Po ashtu për 90% të studentëve, do të financohen 100% tarifat. Basha shtoi se PD-ja mund të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për rininë./tvklan.al