Sali Berisha deklaroi gjatë një bashkëbisedimi online me shqiptarët në Florida të SHBA se në Këshillin Kombëtar të mbledhur nga Lulzim Basha këtë të diel nuk është paraqitur as 1/3 e anëtarëve. Ish-kryeministri tha se Basha e ka mbushur sallën me punonjës të godinës apo individë të tjerë duke mashtruar publikisht. Megjithatë, Berisha u shpreh se revolucioni i nisur nuk ka të ndalur.

“Ne nuk përballemi vetëm me deputetin Basha i cili nuk respekton asnjë normë, asnjë ligj, asnjë parim, përkundrazi i marrë peng ai vepron sipas urdhrave që merr. Ai i shkarkuar komplet thërret Këshillin Kombëtar në të cilin nuk paraqitet as 1 e 3 e anëtarëve dhe mbush sallën me punonjës të godinës apo individë të tjerë duke mashtruar publikisht. Pavarësisht nga të gjitha këto ju garantoj ju se ky revolucion i filluar për rivendosjen e vlerave konservatore nuk ka të ndalur. Ky revolucion siç çmontoi në 91 diktaturën komuniste do të çmontojë narkoshtetin shqiptar”, tha Berisha.

Kujtojmë që gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar u miratua një rezolutë ku PD distancohet nga Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe e konsideron atë një tubim. Po ashtu nuk njihet asnjë vendim i dalë dje ndërkohë që thuhet se ishte baza e krijimit të një organizate politike që ka frymë antiamerikane./tvklan.al