Shqipëria dhe Kroacia morën pjesë për herë të parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të NATO-s.

Dita e parë e punimeve është hapur nga fjala e sekretarit të përgjithshëm, Jaap de Hoop Sheffer, i cili u uroi mirëseardhjen dy anëtareve të rinj të aleancës, duke ju bërë thirrje sërish vendeve anëtare që të shpejtojnë ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit.

Jaap de Hoop Sheffer: “Ne e nisëm kështu takimin e 28-shes, 26 vendet aktuale janë anëtare dhe e dyta e ashtuquajtur të ftuara, Shqipëria e Kroacia. E më lejoni të për,men këtu për këto dy vende se shpresoj sinqerisht që do të jenë vende anëtare me të drejta të plota në samitin e ardhshëm të prillit në Strasburg Ekiel. E them këtë pasi ratifikimi i protokolleve edhe nga vendet anëtare që ende nuk e kanë mbyllur këtë proces do të procedojnë me shpejtësi.”

Nga selia e NATO-s në Bruksel prania e Shqipërisë, e cila u përfaqësua me ministrin Lulzim Basha edhe ajo e Kroacisë u vlerësuan nga sekretarja amerikane e shtetit, Condolezza Rice, si sukses i aleancës. Ndërsa ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha tha pas takimit se tashmë nuk ka më asnjë dyshim se Shqipëria së bashku me Kroacinë, do të jenë anëtare me të drejta të plota të NATO –s në samitin e ardhshëm.

Lulzim Basha: “Nuk shoh asnjë pengesë dhe asnjë lëkundje në agjendën ambicioze të NATO-s për ta bërë këtë ratifikimin më të shpejtë e NATO-s dhe për të pasur Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtare të plota në gjirin e Aleancës në Samitin e ardhshëm.”

Në ditën e parë të këtij takimi, ministrat e jashtëm të NATO-s, Shqipërisë dhe Kroacisë diskutuan mbi çështje të zgjerimit të aleancës, situatën e sigurisë në rajonin euroatlantik, marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë, Ukrainën e Gjeorgjinë si dhe për situatën në Afganistan.

Në ditën e dytë pritet të diskutohet më gjerë mbi Kosovën dhe shtrirjen e misionit EULEX, për të cilin, ministri Basha konfirmoi se Shqipëria mbështet vendosjen e tij në të gjithë territorin e Kosovës sipas kushtetutës së shtetit të ri dhe planit Ahtisari./tvklan.al