Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me një grup të rinjsh që studiojnë dhe kanë mbaruar studimet në universitetet jashtë vendit. Në një kohë kur të rinjtë po ikin përditë nga Shqipëria, kreu i opozitës e cilësoi kthimin e këtyre studentëve ekselentë në atdhe si një mesazh shprese për ndryshimin që kërkon vendi.
“Shumëkush që na ndjek do ta ndjejë atë vibër frymëzimi dhe shprese dhe besimi, që ofron vetë prania juaj, kthimi juaj në atdhe, në Shqipëri, kur mundësitë i keni pasur për të qëndruar jashtë që me siguri është shpresë jo thjesht dhe vetëm për familjet tuaja, por për të gjithë shoqërinë dhe është synimi, objektivi kryesor i imi personal dhe i Partisë Demokratike“, tha Basha në krye të bisedës.
Të rinjtë ngritën disa prej shqetësimeve kryesore që kanë konstatuar me kthimin e tyre në vendlindje, ku parësor është punësimi dhe vështirësia për të krijuar sipërmarrje të reja. Për shefin e opozitës, ka ende shpresë për këtë vend, pasi sipas tij, ndryshimi ka dhe do të ketë fytyrën e rinisë.
“Shqipëria është me fat që jemi këtu dhe unë jam me fat. Së bashku do ta ndryshojmë, për këtë mos keni asnjë pikë dyshimi. Edhe unë kam qenë në pozita të tilla. Mos harroni, nuk jam këtu sepse kam qenë këtu përherë. Kam qenë student jashtë, kam parë me trishtim të madh ndryshimin që rritej midis shoqërisë ku jetoja dhe studioja dhe shoqërisë shqiptare, dhe kam qenë 1000% i bindur, i motivuar që Shqipëria mund të ecte në hapat e duhur dhe nuk do t’i mungonte asgjë.
Ndryshimi s’mund të vijë për shkak të një njeriu të vetëm. Ndryshimi ka dhe do të ketë fytyrën e të gjithë atyre që janë jo thjesht të tejngopur me situatën aktuale, por të vendosur për ta ndryshuar atë. Qeveria e ardhshme ka për detyrë ta drejtojë këtë ndryshim dhe këtë do të bëjë. Për këtë zotohem që ne do ta drejtojmë këtë ndryshim. Unë do ta drejtoj këtë ndryshim duke pasur kriter dhe parim bazë vetëm standardet europiane. Por për këtë duhet ndihma e të gjithëve, duhet që askush të mos bëjë kompromis me të keqen. Sigurisht, gabime do të ketë edhe dështime mund të ketë, por për sa kohë që nuk ka kompromis me të keqen, për sa kohë që ajo që na frymëzon e na motivon është bindja se Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të siguruar normalitetin europian, për të siguruar shtetin e së drejtës, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të siguruar një ekonomi reale, funksionale, që krijon vende pune”, iu tha Basha të rinjve./tvklan.al