Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur për djegien e mandateve në një intervistë për median italiane Rai News. Basha e ka quajtur masë ekstreme djegien e mandateve, pasi kushtet ishin të tilla. Lidhur me protestën e sotme Basha ka thënë se situata në vend është shumë e rëndë.

“Ne nuk kemi kërkuar kurrë dhunë. Ne kemi kërkuar gjithmonë protestë paqësore. Situata në vend është shumë e rëndë. Ka papunësi të lartë, varfëri të madhe në të gjithë vendin dhe kjo e ka zemëruar popullin që tani e di se varfëria nuk vjen se vendi është i varfër por sepse vendi dhe populli janë vjedhur”.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit Edi Rama, se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, kreu i së djathtës ka thënë se,

Rama përdor shantazhin dhe korrupsionin për të blerë anëtarët e opozitës. Tregon vetëm se sa parlamenti dhe demokracia nuk janë funksionalë në Shqipëri

.

Lidhur me takimet me ambasadoren gjermane dhe përfaqësues të BE, OSBE  ka thënë se u kërkon atyre që të mos i kërkojnë popullit shqiptar diçka që nuk do e pranonin kurrë.

“Mesazhi im është shumë i qartë për të gjithë miqtë e Shqipërisë. Kjo është një Parti që lindi me ëndrrën për ta bërë Shqipërinë pjesë të Europës, dhe ne luftojmë për vlerat europiane ne luftojmë për demokracinë për ndarjen e pushteteve, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pa këto nuk ka të ardhme për vendin tim, nuk ka të ardhme europiane dhe nuk ka të ardhme për shqiptarët. I kërkoj miqve tanë të kuptojnë se kjo masë ekstreme është marrë në kushte ekstreme. Dhe i kërkoj atyre të mos kërkojnë nga populli shqiptar diçka që ata nuk do e pranonin kurrë”.

/tvklan.al