Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka shprehur edhe njëherë bindjen e tij se, brenda 6 mujorit të parë të vitit 2010, shqiptarët do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen. Deklarata e shefit të diplomacisë shqiptare u bë duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh të studentëve të universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Lulzim Basha: “E vërteta është se Shqipëria ka përparuar jashtëzakonisht mirë dhe është pranë liberalizimit të vizave. Është kaq pranë saqë unë sot deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush siç kam deklaruar në këto ditët e fundit para opinionit publik se me siguri të plotë se brenda qershorit të vitit që vjen shqiptarët do të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Ne do të përpiqemi sigurisht që këtë afat ta afrojmë sa më shumë. Kriteret politike janë qartësisht të plotësuara, unë dëshiroj që të citoj edhe njëherë Jack Barro, i cili theksoi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është model, se nisja e prodhimit të pasaportave biometrike është diçka që Shqipërinë e afron dhe më shumë, përdori fjalën bravo dy herë gjatë dialogut që bëri me mediat shqiptare për opinionin publik. Pra edhe njëherë dua t’ju them që spekulimit mediatike të nxitura nga fushata elektorale janë një gjë dhe procesi në të cilin po ecim ne është diçka tjetër. Ne po ecim drejt liberalizimit të plotë të vizave dhe këtë nuk mund ta ndal askush dhe në bazë të këtij informacioni që në kemi sipas kontakteve tona diplomatike kjo do të thotë që Shqipëria jo vetëm që është në rrugë të mbarë për plotësimin e kritereve për vizat, por pret që po në këtë hark kohor tetor-nëntor të përmbyll procesin politik dhe brenda fundit të vitit të bëhet rekomandimi apo maksimumi në janar të 2008 të bëhet rekomandimi për ndryshimin e rregullores përkatëse, legjislative që rregullon lëvizjen e shtetasve në hapësirën Shengen. Që do të thotë dhe njëherë që ne jemi absolutisht optimist dhe të bindur që brenda qershorit të vitit tjetër shqiptarët do të lëvizin pa viza në BE.”
Basha shprehu bindjen se deri në vitin 2013 Shqipëria do të jetë e gatshme për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, ndërsa ritheksoi se NATO nuk mund të pranojë në gjirin e saj vende të cilat nuk kanë plotësuar kriteret kryesisht politike./tvklan.al