Vetëm 24 orë përpara fillimit të protestës së paralajmëruar të socialistëve, mazhoranca qeverisëse i ka bërë edhe njëherë thirrje kryesocialistit t’i jap fund bojkotit.

Apeli kësaj here ka ardhur nga zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili e ka cilësuar si jo serioz qëndrimin që po mban selia rozë.

Ilir Meta: “Unë do ti ftoja që të mos merren me protesta dhe me histori të tilla sepse nuk janë serioze. Nuk është serioze ndërkohë që ne i ftojmë për dialog ata bëjnë thirrje për dhunë. Numërojnë orët, numërojnë minutat do kalojë, nesër është protesta, do kalojë 20 Nëntori, do kalojë edhe disa nëntor tjerë, kjo qeveri do ta mbyllë mandatin e saj pa asnjë diskutim.”

Duke thënë se mazhoranca është gati t’i lerë në dorë opozitës edhe drejtimin e reformës zgjedhore, Meta shpjegoi se qeveria nuk mund të pranojë kushtet absurde të vendosura nga Partia Socialiste, siç e quajti kërkesën për hapjen e kutive.

Ilir Meta: “Ne e kemi bërë të qartë edhe një qëndrim që kemi lidhur me bojkotin e opozitës. Me vullnet e në gatishmëri për të diskutuar çdo gjë dhe kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo bashkëpunim dhe për të marrë në konsideratë çdo kërkesë të arsyeshme dhe që nuk shkel ligjin apo cenon kushtetutën. Askujt nuk i shkon në mendje dhe nuk mund të pranoj logjikën jo vetëm të injorimit të vendimeve të gjykatës, këtë duhet ta kuptojë drejt edhe opozita. Sepse nuk është serioze para që para se të kalonte aplikimi pretendoni që nuk do kalojë aplikimi sepse nuk janë dakord me zgjedhjet. Ndërkohë që tani pse u bë me vonesë aplikimi.”

Këto deklarata zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Meta i bëri në komisionin e jashtëm parlamentar ku raportoi për progresin e arritur deri më tani në përmbushjen e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka