Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në Lushnje këtë të premte ku vizitoi disa biznese në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Kryedemokrati u shpreh se këto dy sektorë janë më të goditurit nga kriza ekonomike.
“Asnjë subvencion për fermerin, duke e bërë më të braktisurin në rajon. Paratë e subvencioneve shkojnë për klientët e qeverisë dhe oligarkët. Vetëm për inceneratorin e Fierit, që akoma nuk ekziston, janë zhdukur 24 milionë euro. Është një gropë e zezë korrupsioni, ku është përfshirë Edi Rama, Arben Ahmetaj, figura të grupit të organizuar”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati theksoi se në planin me 5 pika të partisë së tij, me 24 milionë euro nga inceneratori i fierit mund të ndihmoheshin 24 mijë biznese me një çek prej 1 mijë eurosh në 6 muaj. Basha mori edhe një angazhim sa i përket heqjes së taksat mbi karburantin.
“Heqja e taksës “Rama” mbi karburantin 240 lekë për litër do të jetë ndihmë e jashtëzakonshme. Karburanti ynë është më i shtrenjti në rajon, duke bërë çdo mall dhe shërbim më të shtrenjtë dhe jo konkurrues. Brenda 100 ditëve të para do t’i jepet fund naftës pa cilësi në tregun shqiptar. Kjo nuk do të ulë të ardhurat, përkundrazi. Në vitin e parë do të kemi 50 milionë euro më shumë në buxhet, sepse do t’i japim fund kontrabandës së karburanteve”, tha Basha. /tvklan.al