Shumë shpejt, Tirana do të ketë përfunduar të gjithë projektin e Unazës së Madhe, ndërtimi i së cilës jo vetëm lehtëson qarkullimin e automjeteve, duke zgjidhur problemin e trafikut, por njëkohësisht bën të mundur edhe rikualifikimin e zonave ku kalon.

Nga zona e Lumit të Tiranës, ku iu bashkua aksionit për mbjelljen e 100 pemëve të reja, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë të nisjes së punës për projektimin e pjesës së Unazës së Madhe, nga Tufina deri tek rrethrrotullimi “Shqiponja”.

“Ka filluar projektimi nga Tufina deri tek “Shqiponja”, për t’u siguruar që edhe gjysma këtej lidhet me Unazën e Madhe dhe punën që ka filluar tek Astiri. Besoj që për këtë mandat nëse mbarojmë këto punë të mëdha të Tiranës, siç janë Bulevardi, Bregu i Lumit, dhe të fillojë edhe ky segment i Unazës, siç ka filluar tek Astiri, realisht do të kemi një qytet ku nuk do banalizohet diskutimi duhet apo s’duhet kemi rrugë, duhet apo s’duhet të kemi teatër. Pyetja është: Do t’i bëjmë me sherr e me shamata, apo do i lejojmë të punojmë në një qytet ku jetojmë të gjithë, si të majtë e si të djathtë, e ku kemi vendosur që të rrisim fëmijët tanë”, tha Veliaj.

Projekti parashikon hapësira të gjelbra për qytetarët, trotuare, sistemimin e shtratit të Lanës, si dhe ndërtimin e disa veprave të artit. Paralelisht, do të vijojë puna edhe me pjesën e Bulevardit të ri,  ku do të zhvendosen disa prej institucioneve dhe kompanive më të rëndësishme. “Do të vazhdojmë me investimet në Bulevardin e Ri. Disa nga bankat, hotelet apo kompanitë e sigurimit që kanë kërkuar leje për t’u zhvendosur tek Bulevardi i Ri, do t’i marrin ato. Pra, kantieri i Tiranës do të zhvendoset në periferi, do të përkthehet në vende pune për këtë komunitet; do të ketë nevojë për mijëra vende pune që do të duhet të zhvillojnë atë që e quajmë zona Fin-Tech e qytetit të Tiranës, me zhvillimin e Bulevardit të ri”, theksoi Veliaj.

Duke folur për aksionin e nisur për mbjellje e pemëve tëreja, kryebashkiaku u shpreh se ky është momenti për të hyrë në histori si gjenerata që  transformoi edhe pjesën veriore të qytetit. “Duke filluar që në ditët e para të shekullit tonë të dytë me punë konkrete, dhe duke sjellë më shumë gjelbërim, më shumë pastrim, duke ruajtur të gjitha këto terrene publike që janë tek zona e Bregut të Lumit, besoj që do hyjmë në histori si gjenerata që e rriti Tiranën në anën tjetër, në pjesën veriore, aty ku ka pasur më pak zhvillim, aty ku fjala Bregu i Lumit ishte fjalë e keqe, aty ku informaliteti me mungesë investimesh prej shumë kohësh e kishte lënë zonën në harresë. Sot jemi dita me natën”,  nënvizoi ai.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, tashmë e gjithë zona e Bregut të Lumit është transformuar, duke eliminuar jo vetëm një rrezik permanent sa herë binte shi për 4 njësi, por duke e kthyer atë edhe në një mundësi zhvillimi. “Mbaj mend vitin e parë dhe të dytë, Bregu i Lumit ishte sinjal alarmi sa herë që përmendej, sepse tregonte që lumi kishte dalë dhe përmbyste o Njësinë 4, 8, 9, ose 11. Sot duke filluar nga Ura e Babrrusë, deri tek Ura e Institutit Bujqësor, lumi ka tre brigje, pra sipas nivelit të përmbytjeve njëherë në kaq vite, për të pasur një mbrojtje të gjithë banorëve. Sot lumi nuk shihet si kërcënim, por si mundësi”, shtoi Veliaj.

Tashmë, qytetarët kanë edhe një park linear përgjatë këtij lumi, nga zona e Babrrusë deri në Institutin Bujqësor, ndërsa janë krijuar edhe miniparqe. “Kemi shansin që të kemi jo vetëm një lumë më të sigurt, por një lumë që shërben si park linear, nga Babrruja deri në Institut Bujqësor, dhe duke vazhduar me këto parcelat 100 e 100, secila lagje, secila kuartallë, do të ketë praktikisht parkun e vet. Sot nuk luftohet me pushkë, nuk kërkohet që të përleshemi me armikun, sot duhet të përleshemi me injorancën, me padijen, me ndotjen, me vandalizmin. E vetmja mënyrë sesi mund ta bëjmë këtë është me shembull personal, jo me predikime”, deklaroi Veliaj.

Përfaqësuesi i “Arbet Construction”, Astrit Zaimaj i cili ishte dhe donator i pemëve të mbjella në këtë zonë, vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të lënë një pajë të bukur për pasardhësit. Transformimi që i ka bërë Bashkia e Tiranës zonës së Lumit të Tiranës ka përmirësuar jo vetëm cilësinë e jetës së banorëve të Bregut të Lumit, por ka rritur edhe vlerën e banesave dhe pronave të tjera në të dy krahët e tij./tvklan.al