Pas 48 orëve të gjitha listat e votuesve të afishuara publikisht për zgjedhjet lokale të 1 tetorit do të konsiderohen të verifikuara. Ministri i Pushtetit Lokal Bashkim Fino hodhi poshtë akuzat e opozitës se këto lista i përkasin kohës së referendumit për Kushtetutën. E drejta për plotësimet në listat e votuesve pas 13 shtatorit theksoi Fino, i përket KQZ-së.

“Për të akuzuar na përket ne të akuzojmë pushtetin vendor të PD-së, por unë nuk dua t’a bëj një gjë të tillë sepse grupet kanë qenë gjithmonë dy të PD-së dhe dy të PS-së. Megjithatë unë i harroj për momentin dhe dua t’i bëj thirrje të gjitha partive politike dhe gjithë KZQV-ve të vazhdojnë intensivisht punën për verifikimin e listave të zgjedhësve që kanë afat deri në orën 20:00 të datës 13 shtator. Verifikimi është përgjigja më e mirë dhe më i saktë që mund t’i jepen të gjitha forcave politike për çeshtjen e listave të zgjedhësve. Për mua nuk qëndron asnjë lloj alibie për listat aq më tepër për listat e Referendumit sepse listat janë bërë nga listat e Gjendjes Civile dhe janë monitoruar nga grupe që 80 % i ka Partia Demokratike dhe në këto momente listat i kanë partitë politike dhe janë të afishuara dhe po verifikohen nga të gjithë.”/tvklan.al