Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Presidenca holandeze, kryesuese e radhës në Bashkimin Europian është shprehur në një deklaratë të fundit, se reformat në Shqipëri janë të pamjaftueshme dhe se shteti shqiptar nuk ka bërë progresin e duhur përsa i përket reformës zgjedhore, luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Kritikat e fundit që vijnë nga presidenca e BE-së shënojnë se në Shqipëri duhet menjëherë të çlirohen strukturat shtetërore, nga influenca e elementëve kriminal. BE është e shqetësuar kur vë re se reforma zgjedhore nuk është duke shkuar me ritmin e duhur, shprehet deklarata e presidencës holandeze. Dështimi i zgjedhjeve të ardhshme do të ishte një prapa kthim për marrëdhëniet Shqipëri-BE është ultimatumi që përmban deklarata e fundit.

Shqipëria ka nevojë të provojë, se ajo mund të vërë në zbatim ligjet në mënyrë të ndershme dhe të barabartë në të gjithë territorin e saj shprehet deklarata. Por situatat aktuale tregojnë, se progresi drejt Europës është akoma i pa mjaftueshëm thuhet në deklaratë, ndërsa zhvillimi është i pamjaftueshëm sidomos për sektorët jetik. Pas deklaratës ku BE i kujton qeverisë, se një proces tjetër zgjedhor i dështuar kthen mbrapa marrëdhëniet e vendit tonë me BE.

Edhe prezenca e OSBE-së në Tiranë ka dalë me një deklaratë zyrtare ku mbështet vlerësimet e fundit. Sipas OSBE-së, janë me shumë rëndësi vërejtjet e deklaratës së fundit të BE-së për procesin zgjedhor dhe ky organizim nxit partitë dhe forcat politike për të shtuar përpjekjet e tyre për arritur zgjidhjen e përshtatshme dhe jetëgjatë për çështjet në fjalë, veçanërisht për balancim të përbërjes të përbërjes së KQZ dhe përmirësim të listave të zgjedhësve./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj