Bashkimi Evropian paralajmëron Italinë për një vit të vështirë ekonomik. Në raportin vjetor, i cili pritet të bëhet publik nesër, Brukseli i kërkon Romës zyrtare të marrë masa urgjente, pasi ekonomia italiane kërcënohet nga një situatë kritike.

Bashkimi Evropian parashikon kështu rritje serioze të papunësisë dhe ulje të nivelit të mirëqenies, burimi i të cilave është stanjacioni ekonomik që mbërtheu këtë shtet që prej fillimit të vitit 2008.

Në raport vihet në dukje se ka rënie të theksuar të konsumit privat, investimeve, por dhe eksportit, tregues këto të një ngrirje financiare.

Brukseli shkon më tej duke paralajmëruar se në 2009-tën nuk do të ketë vende të reja pune dhe grupet sociale më të rrezikuara në këtë mes do të jenë pikërisht ata me nivel të ulët profesional apo ata që kanë kontrata paraprake.

Duke vlerësuar reformat e qeverisë Berluskoni në sistemin financiar në raport kërkohet shumë kujdes dhe kohëzgjatje me zbatimin e tyre, në të kundërt pritet një ulje e potencialeve të zhvillimit të Italisë.

Receta që ofron Bashkimi Evropian ndaj Romës zyrtare përmban 4 rekomandime: Përmirësim të shpenzimeve publike, riforcim të konkurrencës së tregut, përmirësim të sistemit arsimor dhe luftë kundër punës së zezë./tvklan.al