Kjo lagje në bregun verior të lumit Iber pritet që t’i bashkohet komunës së re, asaj të Mitrovicës veriore. Kjo zonë shumë-etnike e pagëzuar si “Lagjja e Boshnjakëve” do të jetë vendi ku qeveria e Kosovës sipas një strategjie të bërë gati për integrimin e vendit, synon që të hapë një zyrë e lokale, por në terren gjërat nuk duken se kanë lëvizur shumë në këtë drejtim, madje banorët e lagjes nuk dinë se ku do të hapet kjo zyrë, dhe si pasojë kanë pritje të ndryshme nga hapja e saj.

Qytetar: “Në Mitrovicë një komunë hyn se 100 komuna s’na hyjnë. Televizor me fol po folet mirë, aman s’po punohet, qysh po flasin s’po punohet kurrgjë”.

Qytetar: “Sa më shpejtë aq më mirë edhe për popull edhe për krejt”.

Qytetar: “Kanë thënë diku, ka me qen e ndamë veç me u bashku”.

Përfaqësuesi shqiptar i kësaj lagjeje tha, se në zgjedhjet për këtë komunë që priten të mbahen në tetor, shqiptarët duhet të marrin pjesë vetëm më një kusht.

“Diçka duhet të bëhet me ata 10 mijë shqiptarët të cilët janë shpërngulur në mënyrë të dhunshme në muajin shkurt të vitit 2000. Në qoftë se marrin ata pjesë në zgjedhje, do të thotë ne do të jemi si komunitet i barabartë me palën serbe edhe unë e përkrah personalisht edhe do të jetë, do të jetë e mirëseardhur edhe e mirëpritur kjo komunë.”

Përveç zyrës lokale në këtë lagje sipas strategjisë të bërë gati nga qeveria bashke me ICO-n me 30 mars parashihet themelimi edhe i trupit të parë këshillëdhënës për komunat veriore./tvklan.al