Në kohën kur integrimi i veriut është kthyer në prioritet të qeverisë kosovare dhe ISO-së, shteti i ri merr edhe një herë mbështetjen e aleatit më të fuqishëm.
Në Prishtinë erdhi të premten njëri nga zyrtarët më të lartë të administratës amerikane.
Në takime të ndara me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Stjuart Jones tha se Uashingtoni mbështet integritetin territorial të Kosovës.
Stuart Jones: “Ne biseduam për çështje të ndryshme dhe padyshim ne mbështesim integritetin territorial të Kosovës dhe do të punojmë edhe për zgjidhje të tjera.”
Amerikani bisedoi me nikoqirët për çështje të ndryshme ndërkohë që presidenti Fatmir Sejdiun nuk dha shumë detaje. Ai vetëm përsëriti zotimin e SHBA-së për mbështetje.
Fatmir Sejdiu: “Një bisedë jashtëzakonisht me përmbajtje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin mbështetëse të përkushtuara të zhvillimeve tona.”
Nëpërmjet një kumtese shtypi zyra e presidentit njoftoi se Sejdiu e Jones biseduan për përpjekjet për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës./tvklan.al