Pasi mposhti Werder Bremenin 5-0 në Bundesligë për të vazhduar paraqitjen perfekte në këtë sezon, Bayern Munich festoi duke bërë një udhëtim në Oktoberfest.
Skuadra e drejtuar nga Kompani nuk ka gabuar në katër takimet e para në kampionat e ka 12 pikë të grumbulluara, e një javë përpara ndeshjes kundër kampionëve të Bajer Leverkusen, futbollistët kanë gjetur pak kohë për t’u çlodhur.
Trajneri Kompani e bëri të qartë se përveç fitoreve, lojtarët duhet që të respektojnë edhe traditën, e për këtë arsye është e kuptueshme vizita e tyre në festivalin e birrës.
Sulmuesi i rekordeve Harry Kane e ka shijuar pjesëmarrjen në vend.
“E dini, ka qenë një javë fantastike! E kam fjalën për të shënuar shumë gola, e që i kemi fituar ndeshjet me një performancë mjaft të mirë. pra deri më tani, paraqitja jonë ka qenë e jashtëzakonshme. Por si gjithmonë, ju e dini, ne thjesht duam ta vazhdojmë, kështu që ne kënaqemi këtu në Oktoberfest dhe presim me padurim sfidën e ardhshme”.
Festivali më i madh dhe më i famshëm në botë i birrës, Oktoberfest, nisi më 21 shtator për herë të 189-të në histori. Me miliona vizitorë nga e gjithë bota që pritet të marrin pjesë në festën dy javore.
Klan News