Bashkimi Europian reagoi ndaj fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Kosovë, gjatë të cilit e cilësoi Sllobodan Millosheviç si udhëheqës të madh me qëllimet më të mira.
Maja Kociançiç, zëdhënëse e BE-së, e ngarkuar me çështjet e Ballkanit Perëndimor, tha se nuk guxon të lihet hapësirë për dykuptimësi apo lavdërim të atyre që kanë mbështetur politikën e Millosheviçit dhe veprimet e tij.
“Vendimet e gjykatave vendase dhe ndërkombëtare në këtë drejtim janë shumë të qarta”,
tha Kociançiç.
Ajo theksoi se të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor kanë perspektivë europiane dhe për këtë arsye do të duhet të jenë në përputhje me parimet e BE-së, përfshirë pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Vuçiç ka qëndruar në Kosovë fundjavën e kaluar, ndërsa fjalimin e ka mbajtur në Mitrovicën e Veriut./REL