Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore ka raportuar për një tjetër rast me mbetje të pesticideve Chlorpyrifos, te mandarinat me origjinë nga Shqipëria. Ndërkohë që më herët ishte raportuar për tre ngarkesa të tjera me nivel të lartë të pesticideve të ndaluara në Bashkimin Europian prej vitit 2020.
Këto substanca janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut për shkak të dëmeve të tyre afatgjata në shëndet, siç janë çrregullimet e sistemit nervor, sistemi endokrin si dhe rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.
Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë në një deklaratë për mediat, nxit konsumin e produkteve shqiptare për festat e fundvitit dhe në vazhdim, pasi sipas tyre, për vitin 2024 mbi 85% e prodhimit të mandarinave shqiptare është vjelë dhe është shitur në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar dhe në asnjë rast nga të gjitha kontrollet dhe analizat e kryera nuk kanë rezultuar me mbetje të pesticideve.
Ministria e Bujqësisë: Për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun europian e mbarë botëror, nga të cilët vetëm 3 ngarkesa prej totalit janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar. Ky raport nuk duhet të dëmtojë mundin dhe djersën e një viti prodhimi të fermerëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të krijojë shqetësim dhe panik tek konsumatori. Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti.
Ministria e Bujqësisë njofton se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në subjektet që tregtojnë Produkte të Mbrojtjes së Bimëve dhe Produkte Plehëruese dhe deri tani nuk janë hasur shkelje.
Klan News