Presidenti Bajram Begaj ka pritur në një takim Presidenten e Sllovenisë Natasa Pirc Musar e cila po zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Begaj ka falenderuar Slloveninë për mbështetjen që i jep Shqipërisë për anëtarësimin në BE, por edhe të rajonit në tërësi.

Kreu i shtetit theksoi se zgjerimi 2030 i BE-së është një provë konkrete e mbështetjes së Sllovenisë përmes forumit të Bledit ku u evidentua ky plan.

“Shqipëria dhe Sllovenia gëzojnë një miqësi tradicionale dhe zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira, të cilat bazohen jo vetëm në interesa të përbashkëta dypalëshe dhe rajonale, por edhe në vlera të përbashkëta dhe partneritete strategjike, sidomos në kuadër të NATO-s dhe të perspektivës së përbashkët evropiane.

Shqiptarët që jetojnë në Slloveninë mike janë një garanci e shtuar e bashkëpunimit tonë të suksesshëm në të ardhmen. Dëshiroj t’ju falënderoj për mbështetjen e çmuar dhe të vazhdueshme që Sllovenia ka treguar për procesin e zgjerimit evropian dhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.

Roli juaj në kuadër të Miqve të Ballkanit Perëndimor është një prej dëshmive të shumta. “Zgjerimi 2030”, që doli si produkt i Forumit Strategjik të Bledit, është një provë tjetër konkrete e mbështetjes suaj.

Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë fort për ta bërë realitet këtë plan. Bashkëpunimi në NATO ka qenë shumë i mirë dhe, në këtë kontekst, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për rolin historikisht konstruktiv që ka luajtur Sllovenia për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.

E vlerësoj në veçanti kontributin e Sllovenisë për pjesëmarrjen në trupat e KFOR-it në Kosovë. Shqipëria është një zë i fuqishëm i integrimit Euroatlantik të rajonit. Si një popull historikisht paqedashës, ne jemi të interesuar për një rajon në paqe, të zhvilluar, me sytë nga Evropa dhe të integruar në vetvete.

Konstatoj me kënaqësi se Shqipëria dhe Sllovenia marrin pjesë aktive në nisma dhe forume rajonale, nga të cilat, më lejoni të veçoj Forumin e Bledit, procesin e Brdo-Brijuni dhe atë të Berlinit. Në veçanti, roli i Sllovenisë nëpërmjet Forumit të Bledit dhe Procesit të Brdo-Brijuni është me rëndësi për ne, sepse këto dy platforma vazhdojnë të mbështesin dhe kontribuojnë në perspektivën evropiane të rajonit tonë.

Po kaq me rëndësi ka qenë njohja e Kosovës nga Sllovenia, si një nga shtetet e para që hodhi një hap të tillë. Kjo tregon jo vetëm maturi strategjike, por edhe largpamësi në njohjen e realiteteve të reja. Nga ana tjetër, është vlerësim për popullin e Kosovës dhe faktorin shqiptar që ka kontribuar gjithnjë për paqen, harmoninë dhe sigurinë e rajonit tonë. Pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe kontribuues në paqen dhe sigurinë e rajonit tonë. Shqiptarët e rajonit janë faktor stabilizues dhe me orientim Euroatlantik. Kjo u tregua edhe në rolin vendimtar të tyre në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO.

Kjo dëshmohet edhe në përafrimin e shpejtë të Kosovës drejt NATO-s. Ballkani Perëndimor mbetet ende një rajon vulnerabël nga aktorët që frymëzohen nga e kaluara për të projektuar një të ardhme që është larg Evropës dhe vlerave demokratike. Agresioni i padrejtë rus ndaj Ukrainë është një sinjal tjetër alarmi se sa të kujdesshëm dhe bashkëpunues duhet të jemi për të zvogëluar vulnerabilitetin dhe rreziqet nga këta aktorë.

Natyrisht, bashkëpunimi i shkëlqyer politik duhet të reflektohet edhe në bashkëpunimin ekonomik. I vlerësoj zhvillimet pozitive në këtë fushë gjatë 5 viteve të fundit, por ka mundësi edhe për më shumë. Shqipëria mirëpret investime direkte sllovene. Ekonomia jonë është dinamike dhe në rritje. Ftoj sipërmarrësit sllovenë të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në sektorët e turizmit, financës, bujqësisë, teknologjisë së informacionit, energjisë dhe shumë të tjera. Gjithashtu, duhet të rrisim kontaktet mes qytetarëve tanë.

Një linjë ajrore direkte midis Lubjanës dhe Tiranës do të ishte një mundësi e mirë, jo vetëm për shtimin e kontakteve direkte, por edhe për rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë vendet tona. Turizmi në veçanti është një fushë nga e cila ne mund të mësojmë shumë prej jush. Në këmbim, sllovenët do të mund të shijojnë më tepër bukuritë malore dhe bregdetare të Shqipërisë.

Në përfundim, do të dëshiroja të nënvizoja se bashkëpunimi midis dy vendeve tona është shumëdimensional dhe përfshin shumë fusha me interes të ndërsjellë, të cilat kanë në qendër nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të dy vendeve tona. Sllovenia mbetet një vend mik dhe marrëdhënien që kemi le ta kultivojmë më shumë, në të mirë të qytetarëve tanë.Dëshiroj t’ju uroj suksese në pjesëmarrjen e Sllovenisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara për 2024-2025, vend të cilin Shqipëria e la vetëm para disa muajve

/tvklan.al