Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha hapi sot takimin e radhës së Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria” mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të BE-së në kuadër të negociatave për anëtarësim. Delegacioni i BE-së kryesohej nga Sigrid Brettel, kreu i Njësisë për Zgjerimin, në Komisionin Europian, ndërsa nga pala shqiptare, morën pjesë deputetë të Kuvendit, kreu i SPAK Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, drejtuesja e BKH-së Aida Hajnaj, e zyrtarë të tjerë të lartë të agjencive ligjzbatuese në vend.
Gjatë fjalës, ministri Hoxha renditi disa nga arritjet e Ministrisë së Brendshme, në kuadër të procesit të përafrimit me acquis të BE-së, duke nënvizuar miratimin e disa ligjeve apo strukturave të reja që kanë detyrë parandalimin dhe luftën kundër krimit.
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/image-171-1024x683.png)
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/image-172-1024x683.png)
Hoxha vuri në dukje bashkëpunimin shumë të suksesshëm mes autoriteteve ligjzbatuese të Shqipërisë me ato të vendeve europiane.
“Evidentohet një bashkëpunim i shtuar me shtetet anëtare të BE-së, nëpërmjet Aplikacionit të Sigurt të Rrjetit të Shkëmbimit të Informacionit (SIENA), pjesëmarrjes aktive në Platformën Multidisiplinare Evropiane kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT), apo bashkëpunimit me Agjencinë e Bashkimit Europian për Trajnimin në Zbatimin e Ligjit (CEPOL), ku vazhdon të punohet dhe pritet nëshkrimi i Marrëveshjes fillestare të Bashkëpunimit me Akademinë e Sigurisë,” theksoi Ministri i Brendshëm.
Një pikë tjetër, të cilës i kushtoi vëmendje të posaçme ishte migracioni, për të cilin ministri Hoxha tha se Shqipëria “ka një kuadër gjithëpërfshirës ligjor dhe institucional për fushën e migracionit” dhe se bashkëpunon ngushtë me partnerët europianë për kontrollin e frenimin e këtij fenomeni.
Pas ceremonisë së hapjes, Nënkomiteti do të vijojë diskutimet për dy ditë përmes tryezës teknike.
/tvklan.al