Gjeneralët e Kim Jong Un u kanë thënë ushtarëve të tyre që të përgatiten për luftë pasi avionët bombardues amerikanë fluturuan mbi Korenë e Veriut.
Sipas një agjencie lajmesh të quajtur “Daily North Korea”, ushtarëve koreano-veriorë u është thënë që të bëhen gati dhe të marrin ushqime.
“Zyrtarët ushtarakë po i udhëzojnë ushtarët për të ngrënë misër në ara sepse lufta po afron”,
shkruan kjo agjenci lajmesh.
Gjeneralët kanë kërkuar nga ushtarët e tyre që të mirëushqehen, në të kundërt nuk do të kenë rezistencë.
Ndërsa shefave të ushtrisë u është thënë që të bëjnë një sy qorr teksa ushtarët po vjedhin misër nga arat.
Megjithatë, nuk dihet se sa i vërtetë është ky informacion.
Ushtria e Koresë së Veriut ka rreth 6.5 milionë personel të disponueshëm, por me ushtarë të kequshqyer dhe armë e automjete të vjetruara.
Më herët gjatë ditës së sotme, avionë bombardues dhe luftarakë të armatosur amerikanë fluturuan mbi Korenë e Veriut gjatë një stërvitje të përbashkët ushtarake me Korenë e Jugut, duke dhënë një mesazh të qartë ndaj shtetit komunist.
Situata në gadishullin korean u tensionua gjatë kësaj jave, teksa Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike që kaloi mbi Japoni. Presidenti amerikan Donald Trump tha se zgjidhja me diplomaci nuk është më një opsion me Korenë Veriore.
/tvklan.al