Pas një procesi gjyqësor të zhurmshëm dhe dënimi për blerje votash, Alfred Beleri, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, mbylli këtë të hënë hesapet me drejtësinë.
Ai u lirua para kohe me kusht nga Gjykata e Fierit, e cila e nxori nga qelia 6 javë para se të mbyllte dënimin me 2 vite burg dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Në dalje të burgut të Fierit, ai u prit nga djali dhe Petro Gjikuria, i cili kandidoi në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara në Himarë, pasi KQZ i hoqi mandatin e fituar Belerit për shkak të dënimit.
Avokati Geni Gjyzari e konsideroi vendim të drejtë lirimin e Belerit, teksa ky i fundit tha për mediat se do të vijonte betejën për pafajësi në Strasburg.
“Betejën do e vazhdoj në Strasburg. Për mua, kjo çështje do të mbyllet në Strasburg dhe do të kërkoj të drejtën aty për rezultatin e zgjedhjeve në Himarë”.
Alfred Beleri, i cili u zgjodh njëherazi edhe eurodeputet i Demokracisë së Re në Parlamentin Europian, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 2023 dhe u dënua më pas për dyshimet se kishte dhënë para në këmbim të votës.
Edhe pse fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Himarë, ai nuk arriti asnjëherë ta ushtronte detyrën.
Tv Klan