Gjykata pranon kërkesën e ish-Kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro për gjykim të shkurtuar. Ky vendim është dhënë dhe për ish zyrtarët e tjerë gjatë seancës në themel, ku i pranishëm ishte dhe ish i zgjedhuri socialist.
SPAK mbylli hetimet në Shtator të vitit 2024 duke ngritur akuzën “shpërdorim detyre” dhe “fshehje të pasurisë” për Jorgo Goron. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai së bashku me disa ish zyrtarë kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës, duke tjetërsuar dy prona.
Në total bëhet fjalë për 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, që tashmë janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme. Hetimet e SPAK për këtë çështje u iniciuan pas dy kallëzimeve penale, një prej të cilave u depozitua nga Fredi Beleri.
Të dy kallëzimet u bashkuan në një të vetëm nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme. SPAK ka deklaruar gjithashtu se rezultoi plotësisht e provuar se ish-Kryebashkiaku Goro ka fshehur dhe nuk ka deklaruar një apartament, me sipërfaqe totale 81.41 m2, me adresë në Tiranë, të cilin e kishte regjistruar në emrin e një shtetasi tjetër.
Jorgo Goro po gjykohet nën masën “arrest në burg” ndërsa gjatë seancave ka hedhur poshtë dy akuzat e ngritura nga SPAK.
Klan News