Eurodeputetët erdhën në Tiranë në mes të një klime të rindezur politike. Nga njëra anë mosbindja civile e opozitës në rrugë e parlament. Nga ana tjetër pritej publikimi i progres raportit nga Brukseli ku në mënyrë të befasishme qeveria kishte vënë si objektiv kohor për anëtarësimin në BE vitin 2027.

Ditë intensive takimesh për eurodeputetët me takime me zyrtarët shqiptarë, kryesisht zv/ministra, si dhe me homologët nga pozita dhe opozita. Zgjodhën që të ecin shpesh në këmbë dhe në një nga këto ecejake ra viktimë e kosit dhe vezëve njëri prej tyre. Fredi Beleri, i zgjedhur rishtazi eurodeputet në emër të Greqisë, me një kalvar disa mujor në burgjet e Shqipërisë i akuzuar për blerje votash në Himarë, ku u zgjodh kryebashkiak.

Beleri nuk e komentoi për asnjë media incidentin, ndërsa zgjodhi televizionin kombëtar Klan News për të shprehur zhgënjimin që nuk ishte takuar me Ramën. Me Belerin në sallën e diskutimeve zgjodhi të replikojë Pandeli Majko.

Incidenti me Belerin u pa edhe në Athinë. Greqia që kishte hequr veton për negociatat u shpreh e habitur që eurodeputeti ishte lënë i pambrojtur rrugëve të kryeqytetit shqiptar.

Gjatë dy ditëve të mbledhjes nën drejtimin e kryetarit Toni Gogu, deputetët shqiptarë dhe ata evropianë diskutuan mbi sundimin e ligjit në Shqipëri, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pritej që të miratohej një rezolutë e përbashkët gjë që nuk ndodhi. Pas dështimit në bisedime, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian, Marco Tarquinio dha mesazhet e tij për palët.

Paralelisht me punimet e pasdites së këtij Komiteti Ndërparlamentar, rrugët e Shqipërisë u bllokuan nga opozitarët. Gjithsesi përfaqësuesit e saj nuk e bojkotuan takimin me homologët evropianë dhe kundërshtarët politikë socialistë.

Ndërkohë që eurodeputetët u larguan nga Tirana plot zhgënjim, tone entuziazmi erdhën nga Brukseli për përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave për kapitujt e parë.

Ky entuziazëm vijoi një ditë më pas, kur progres-raporti ra në duart e kryeministrit Rama, presidentit Begaj dhe kryeparlamentares Spiropali nga ambasadori Gonzato. Ai kërkoi po ashtu dialog pozitë opozitë.

Për qeverinë shqiptare ky është raporti më pozitiv i viteve të fundit.

Nuk është e qartë se kush do ta luajë rolin e arbitrit apo ndërmjetësit mes PS dhe PD se askush në Bruksel apo Strasburg nuk është i gatshëm të paktën për momentin ta luajë këtë rol.

Klan News