Në Parlamentin e ri Europian do të jetë edhe një eurodeputet shqiptar që do të përfaqësojë Greqinë. Ai është Fredi Beleri, i cili u kandidua nga Partia Demokracia e Re e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Beleri renditet i katërti në listën me 7 kandidat fitues të Demokracisë së Re, por me një diferencë të madhe votash në raport me kandidatët pasues.
Ai ka siguruar 236 mijë vota, ndërkohë që kandidati i pestë fitues ka marrë 171 mijë vota.
Pavarësisht kësaj Beleri, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë, do ta ketë të pamundur ta ushtrojë mandatin që nga fillimi, pasi ai është i dënuar në Shqipëri me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor.
Në zgjedhjet për Parlamentin Europian në Greqi, fituese doli sërish Demokracia e Re, e cila siguroi 27.7 për qind të votave, pas saj me një diferencë të madhe u rendit Siriza me 15 për qind të votave dhe në vend të tret renditet PASOKU me 13 për qind të votave.
Greqia përfaqësohet me 21 deputetë në Parlamentin Europian dhe sipas rezultateve 7 prej tyre do jenë nga Demokracia e Re, 4 nga Siriza, 3 nga Pasok, ndërsa 7 eurodeputetë të tjerë vijnë nga 5 parti të tjera më të vogla.
Tv Klan