Kryeministri Berisha i është përgjigjur kërkesës së opozitës për mocion me debat në seancën plenare të së hënës.
Valentina Leskaj: “Kur paraqitëm kërkesën për mocion, kemi paraqitur një listë të gjatë me pyetje që lidhen me aferën Fazlliç. Shpresojmë të jeni i drejtpërdrejtë në përgjigjet tuaja. Gjithsesi sot pikëpyetjet janë shtuar, fakte të reja kanë dalë në dritë, janë fakt që e thellojnë zullumin. Listën e pyetjeve e keni atje dhe natyrisht nuk do ndalem në të gjitha ato pyetje që ne kemi listuar. Po si miku i tij personal, sot keni rastin të sqaroni shqiptarët edhe për disa çështje që lidhen me biznesin e që kanë krijuar dyshime të mëdha, si ngritja menjëherë 5 kompanive sapo erdhi PD në pushtet. Kompani që rezultojnë pa asnjë aktivitet, po me 50 milion euro pasuri. Keni rastin të sqaroni shqiptarët a ka pastrim parash në transaksionet e Fazlliç, a janë paguar taksat sipas ligjeve të shtetit shqiptar. A janë transparente bilancet e kompanive të mikut tuaj e shumë pyetje të tjera, të cilat ua kemi vënë në dispozicion një muaj më parë.”
Në kundërpërgjigje të akuzave të ngritura nga opozita, Berisha tha se ky mocion vjen pas arritjeve të ekzekutivit në këto 3 vjet qeverisje. Sipas tij qëllimi i socialistëve është të errësojë pikërisht rezultatet e kabinetit që ai drejton.
Sali Berisha: “Debate të tilla pa nocion mosbesimi në vende të lira thirren nga mazhoranca dhe në asnjë rast asnjë rrethanë nga opozita. Një mocion i tillë pa mosbesim, të kërkuar nga opozita është realisht eunuk-mocion, me të cilin thirrësit e tij vetëm pse provohen se janë eunuk-opozitar. Ky mocion fakton se shoku Rama ka zhytur këtë opozitë në universitetin e boshit, batakun e marrëzive, bllofeve, retorikës së trillimeve, mashtrimeve, falsifikimeve si asnjë opozitë tjetër të këtij kontinenti. Opozita shqiptare si asnjë tjetër në Europë nuk iu paraqet qytetarëve shqiptar asnjë mocion, asnjë koncept, asnjë ligj, asnjë vendim parlamentar, asnjë propozim zhvillimi, asnjë alternativ të vetme për zgjidhje. Por vetëm pret të shpallë të vdekurit të ekzekutuar, ta pafajshmit kriminel, falsifikimet për origjinale. Ajo flet, flet dhe vetëm flet më mijëra kilometra fjalë, llogje, zhurma dhe bllofe, por unë në çdo rast jam i vendosur të respektoj opozitën, madje t’i përgjigjem me kënaqësi thirrjes së saj. Shkaqet e vërteta të opozitarizmit pa kokrra, shkaqe e eunuk-mocionit, eunuk-opozitës apo bllof opozitës. Janë komplekse të shumëllojta, por shkaku më themelor e tyre qëndron në ndryshimet madhore të Shqipërisë këto 3 vjet. 3 vjet më parë qeveria dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut paraqiti para parlamentit shqiptar programin e saj historik të ndryshimit të Shqipërisë. PD dhe koalicioni i saj nisën qeverisjen në një kohë kur krimi i organizuar famëkeq shqiptar i lidhur ngushtë më ministra, mbi ministra, deputetë, zyrtarë, prokurorë, gjykatës qeveritar vendor ishte omnipotent dhe omniprezent. Ai bënte ligjin në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lushnje, Tropojë, Sarandë, por dhe në institucionet e vendit. PD erdhi në pushtet kur bosët e mafias Aldo Bare, Nehat Kulla, vrasës të tjerë ndanin me qeveritarët jo vetëm trofe të trafiqeve të tyre. Por jo në pak raste krimet e porositura, madje dhe shtratin edhe dhomën e gjumit…”/tvklan.al