Në një seancë që zgjati deri në orët e para të së martës, parlamenti u përfshi nga diskutimet pas kërkesës së opozitës për mocion me debat drejtuar kryeministrit Berisha. Në emër të grupit kuvendor Valentina Leksaj i kërkoi kreut të qeverisë të zbardhë të gjitha lidhjet që sipas saj e implikojnë atë dhe familjarët e tij biologjik e politik, në afera të dyshimta me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç.
Valentina Leskaj: “Por si miku i tij personal, sot keni rastin të sqaroni shqiptarët edhe për disa çështje që lidhen me biznesin, e që kanë krijuar dyshime të mëdha, si ngritja menjëherë 5 kompanive sapo erdhi PD në pushtet. Kompani që rezultojnë pa asnjë aktivitet, po me 50 milion euro pasuri. Keni rastin të sqaroni shqiptarët a ka pastrim parash në transaksionet e Fazlliç, a janë paguar taksat sipas ligjeve të shtetit shqiptar. A janë transparente bilancet e kompanive të mikut tuaj e shumë pyetje të tjera, të cilat ua kemi vënë në dispozicion një muaj më parë.”
Në kundërpërgjigje të Leskajt kryeministri Berisha e cilësoi kërkesën për mocion ndaj tij si një mundësi e mirë për të shpalosur arritjet e qeverisë në këto tre vjet. Ndërsa akuzoi Ramën si lideri që e ka zhytur PS në retorikën boshe dhe atë të falsifikimeve.
Sali Berisha: “Debate të tilla pa mocion mosbesimi në vende të lira thirren nga mazhoranca dhe në asnjë rast asnjë rrethanë nga opozita. Një mocion i tillë pa mosbesim, të kërkuar nga opozita është realisht eunuk-mocion, me të cilin thirrësit e tij vetëm pse provohen se janë eunuk-opozitar. Ky mocion fakton se shoku Rama ka zhytur këtë opozitë në universitetin e boshit, batakun e marrëzive, bllofeve, retorikës së trillimeve, mashtrimeve, falsifikimeve si asnjë opozitë tjetër të këtij kontinenti. Opozita shqiptare si asnjë tjetër në Europë nuk iu paraqet qytetarëve shqiptarë asnjë mocion, asnjë koncept, asnjë ligj, asnjë vendim parlamentar, asnjë propozim zhvillimi, asnjë alternativ të vetme për zgjidhje, por vetëm pret të shpallë të vdekurit të ekzekutuar, ta pafajshmit kriminel, falsifikimet për origjinale. Ajo flet, flet dhe vetëm flet me mijëra kilometra fjalë, llogje, zhurma dhe bllofe. Por unë në çdo rast jam i vendosur të respektoj opozitën. Madje ti përgjigjem me kënaqësi thirrjes së saj. Shkaqet e vërteta të opozitarizmit pa kokrra, shkaqe e eunukmocionit, evnukopozitës apo bllof opozitës. Janë komplekse të shumëllojta, por shkaku më themelor e tyre qëndron në ndryshimet madhore të Shqipërisë këto 3 vjet.”
Pas fjalimit të Berishës që zgjati më se dy orë në parlament, seanca plenare u përfshi nga debatet mes mazhorancës dhe opozitës.
Gramoz Ruçi: “Akuzove ne socialistët për lidhje me klanin e Zemunit, kur sot na rezulton se je vetë i lidhur me ta. Ti ke mbështetur dhe mbështet grupime dhe me interesa të dyshimta. Në Ballkan dhe në emër të këtyre interesave, ti zotëri i dhe naftë makinës së Serbisë.”
Astrit Patozi: “Ky mocion ishte një mundësi për tu ballafaquar para zgjedhjeve. Ju me thesin e shpifjeve në krah kurse ne me Shqipërinë që po ndryshon dita ditës. Për fat të keq 3 vjet e ca nuk ju mjaftuan që të ndiqni ritmin e tuaj sepse ritmin tonë e keni shumë të vështirë të ndiqni. Të një vendi që po ecën përpara pavarësisht bilbilave dhe teknologjisë së mashtrimit që ju keni adaptuar…”/tvklan.alGazetare: Jolldiz Mitro