Në kushtet kur deputetët e opozitës kanë bllokuar dy dyert kryesore të Parlamentit për të mos lejuar ministrat dhe deputetët e mazhorancës të hyjnë brenda përsa kohë nuk lejohen dhe ata vetë, socialistët kanë përdorur një hile që revoltoi të djathtët.

Teksa opozitarët mbanin të bllokuara dyert, në oborrin e Kuvendit u fut makina e kryeparlamentares Elisa Spiropali e shoqëruar nga eskorta, siç e parashikon protokolli.

Deputetët e opozitës u mblodhën përreth makinës së Spiropalit për të mos e lejuar të dilte. Mirëpo, kryeparlamentarja nuk ndodhej aty.

Në situatën kur deputetët e opozitës përqëndruan vëmendjen tek makina e Spiropalit, një pjesë e deputetëve dhe ministrave të mazhorancës përdorën një derë të tretë sekrete të Parlamentit për t’u futur në sallë, duke kapur kështu në befasi kolegët  e tyre të opozitës.

Këta të fundit e kuptuan skenarin. Ishte vetë deputeti i PD Flamur Noka, i cili po qëndronte pranë makinës së Spiropalit, kur tha se kjo e fundit nuk ishte brenda automjetit.

/tvklan.al