Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Marko Xheblati 8-vjeç dhe Hekuran Dragoti 52-vjeç janë mbytur në ujërat e lumit Osum paraditen e sotme. Hekurani kishte shkuar me gruan dhe fëmijët në breg të lumit për t’i shpëtuar vapës dhe me vete kishin marrë edhe djalin e komshiut Markon.

Rreth orës 9:30 Marko është futur në lum së bashku me djalin e Hekuranit, të dy bashkëmoshatarë, por Marko është rrëmbyer nga uji. Menjëherë në ndihmë të tij ka shkuar edhe Hekurani por edhe 52-vjeçari nuk ka mundur t’i shpëtojë dot rrjedhës. Familjarët e tjerë kanë vënë alarmin dhe trupi i fëmijës është gjetur pas 30 minutash afër turizmit.

Ndërsa trupi i 52-vjeçarit është gjetur 5 orë më pas nga palombarët e forcave speciale të repartit të Poshnjes. Vetëm për këtë vit është rasti i tretë i mbytjeve në lumin Osum. Marrja e rërës nga firmat e ndërtimit, ka krijuar në këtë lum zgavra shumë të rrezikshme për banorët./tvklan.al