Berati po përjeton ëndrrën turistke, por ky vit i ka tejkaluar parashikimet.
70 mijë turistë kanë prerë biletën për të parë Muzeun Ikonografik të Onufrit nga Janari deri në Gusht 2024.
Për ta bërë realitet vizitën e tyre në këtë muze turistëve nga Franca u është dashur të presin të paktën 8 muaj.
“Në vitin 2023 jam njohur me një reklamë shqiptare, pastaj mora informacion dhe kam bërë rezervimin në Dhjetor 2023 ditën e Krishtlindjes. Përveç Beratit do të shkojmë edhe në plazhet e jugut”.
“Kemi dy ditë në Berat, na pëlqeu sepse është shumë i hapur për turizmin, shumë interesant dhe jemi strehuar në pjesën muzeale në Mangalem”.
Muzeu Ikonografik Onufri është vizituar 52% më shumë nga turistët këtë vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të paktën deri në Dhjetor ky muze i ka biletat të shitura tek grupet e mëdha turistike.
Një grup turistësh nga Portugalia kanë ardhur për herë të parë në këtë muze. Historia e tij dhe ikonat e shumta të ekspozuara në muret e brendshme duket se janë tepër të adhurueshme për turistët.
“Jam nga pjesa veriore e Portugalisë, Romave quhet, më pëlqeu udhëtimi në Ballkan si për herë të parë, ndërsa Shqipëria është një vend i këndshëm, njerëzit janë të qeshur dhe ushqimi i mirë. Qytetet që kam parë deri tani janë Kruja, Shkodra, Berati dhe Durrësi. Muzeu paska shumë vizitorë, qenka bukur këtu”.
Rradhët e gjata për të hyrë në muze kanë sjellë turistë të shumtë, të cilët pëlqejnë vendet me trashëgimi të vjetër kulturore dhe historike.
“Më pëlqeu shumë muzeu, është i bukur dhe ikonat shumë impresionuese, po kështu është edhe Berati, qenka një nga qytetet e pakta të paprekura dhe trashëgimia historike e vjetër është ruajtur mirë, stili origjinal i ruajtur me fanatizëm”.
Muzeu i Onufrit është përfshirë si paketë e përgjithshme turistike e Beratit dhe është i vetmi në rajon dedikuar tërësisht artit ikonografik.
Niveli i lartë artistik i ikonave të shekullit të XVI është i ekspozuar me 200 punime vetëm në Onufër pa llogaritur edhe ikonat që kanë kishat e tjera mesjetare të Beratit.
Klan News