Një ndër aktoret më të suksesshme turke, Beren Saat, e njohur në rolin e saj si “Bihter” për publikun shqiptar, karrierën po e vazhdon në platformën Netflix, me serialin e ri “Atiye”.

Me emrin “Atiye”,  Berenin do e njohim si një piktore e cila është e lidhur në mënyrë të pashpjegueshme me një vend historik të quajtur Nemrut. E nxitur nga ndjenja të çuditshme, ajo lë të dashurin, punën, jetën në Stamboll dhe del në kërkim të së vërtetës. Gjatë rrugëtimit të saj, Atiye do të njohë arkeologun me emrin Erhan (Mehmet Günsür) dhe së bashku do të vazhdojnë kërkimet për të zbuluar të vërtetën e këtij vendi të lashtë dhe lidhjen mistike që mund të ketë më jetët e tyre.

Pas sezonit të parë mjaft të pëlqyer të serialit të ri turk, Beren së bashku me partnerin e saj Mehmet Günsür, i njohur ndryshe si “Mustafai”  nga telenovela “Sulejmani i Madhërishëm”, bënë të ditur se më datën 10 Shtator do të vijë sezoni i dytë i serialit “Atiye”.

“Atiye”, është prodhimi i dytë origjinal turk për Netflix, në të cilin do të kemi mundësi t’i shohim aktorët shumë të dashur për ne Beren Saat dhe Mehmet Günsür në role kryesore, më një performancë shumë më ndryshe nga ç’jemi mësuar./tvklan.al