Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje emigrantëve që të regjistrohen për në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, duke iu rikujtuar atyre se gjatë 11 viteve, çmimet në Shqipëri kanë njohur rritje stratosferike, të cilat sipas Eurostat kanë shkuar nga 10 deri në 250% më të shtrenjta sesa në vendet kryesore të Bashkimit Europian.

“Gjatë këtyre 11 viteve, çmimet në Shqipëri, të ushqimeve, ilaçeve, kanë njohur rritje stratosferike. Ato janë sipas Eurostat, 10 deri në 250% më të shtrenjta sesa në vendet kryesore të Bashkimit Europian. Dhe kjo për prindërit tuaj është një katastrofë e vërtetë. Prandaj dhe vota juaj në këto zgjedhje është e një rëndësie jetike për shpëtimin e prindërve, familjarëve tuaj por edhe të vendit tuaj”, tha Sali Berisha.

Më tej, kryedemokrati paraqiti dhe udhëzimet se si qytetarët që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë mund të regjistrohen në platformën e cila u ofron atyre hapësirën për të marrë pjesë në këto votime, për të shpëtuar Shqipërinë nga të këqijat që i ka shkaktuar qeverisja e Edi Ramës në 12 vite.  

“Kështu që ka zemra ju bëj thirrje: Regjistrohuni në portalin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, diaspora.kqz.gov.al,  në portalin e Partisë Demokratike www.pd.al/diasporavoton . Ky i fundit do t’iu japë ju automatikisht udhëzimet me të cilat orientoheni si të përdorni portalin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ju ftoj të hyni në linkun që shfaqet në ekran www.pd.al/diasporavoton , në mënyrë që të votoni të gjithë me 11 Maj për të shpëtuar Shqipërinë nga të këqijat e mëdha që Edi Rama i ka bërë këtij vendi në këti 12 vite të qeverisjes së tij”, tha Berisha.

Klan News