Ish-Kryeministri Sali Berisha shprehet i bindur se shkarkimin që i bëri dje Kuvendi Kombëtar Lulzim Bashës do ta ratifikojë me votë e gjithë anëtarësia e PD-së në referendumin e 18 Dhjetorit. Berisha tha se 11 Dhjetori i djeshëm është një nga datat më të rëndësishme në historinë e pluralizmit në Shqipëri.

“Kuvendi i djeshëm vendosi shkarkimin e kryetarit të marrë peng nga afera të tij dhe ky shkarkim me votën e fshehtë do të ratifikohet me votën e të gjithë anëtarësisë me datën 18 Dhjetor. Këto janë zhvillimet e deritanishme, por dita e djeshme pas 11 Dhjetorit të vitit 1990 ishte data më e rëndësishme në historinë e lirisë së shqiptarëve në Shqipëri në historinë e pluralizmit”, tha Berisha.

Më tej, duke qenë se takimi online është me shqiptarët e Florida, Berisha premtoi se PD e rithemeluar në pushtet do të bëjë gjithçka që diaspora të ketë të drejtën e votës.

“Ju garantoj se PD e rithemeluar në pushtet do të bëjë gjithçka që ju të keni të drejtën e votës në vendin tuaj, të vendoset  kuadri ligjor më i favorshëm për investimet tuaja dhe do të bëjmë gjithçka që shqiptarët, të rinjtë ta shohin Shqipërinë si vendin e shpresës”, u shpreh Berisha./tvklan.al