Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Më 2 Shtator Partia Demokratike do të çeli zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale në sheshin “Skënderbej”. Këtë e ka deklaruar sot kryetari i PD Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp. Fushata jonë, tha ai, do të bazohet tek kandidaturat, programi i partisë dhe dokumentet që disponojmë për gjëmat dhe bëmat e pushtetarëve.

Sali Berisha, kryetar i PD:- “Pjesa dërrmuese e tyre janë në një psikozë të thellë. Çdo hap që bëjnë, zgjedhësit i pyesin, ku janë paratë e premtuara? Çdo takim që bëjnë zgjedhësit i pyesin, ç’u bë me vendet e punës? Çdo hap që bëjnë, zgjedhësit i pyesin, ku është treni me 2500 të vrarë? Pra janë kandidatët më të vetmuar, janë kandidatët e klanit Meta-Nano, asgjë tjetër”.

Gjatë këtyre ditëve në PD, përfundojnë të gjitha aktivet në rrethe në të cilat përcaktohen kandidaturat për kryetar bashkie. Deri tani janë përcaktuar për bashkinë e Elbasanit Dublin Dilja, në Fier Renato Shyti, në Tropojë Shpend Demiri, në Kavajë Islam Veliaj etj. Kryetari demokrat ka konfirmuar se kandidati i bashkisë së Vlorës do të përcaktohet nga koalicioni i të gjithë opozitës.

Ndërkohë të shtunën përcaktohet kandidati i Korçës dhe ai i Durrësit, ku paraprakisht nga burime brenda PD mësohet se do të jetë sërish Arqile Gorea dhe të hënën përcaktohet kandidati për bashkinë e Shkodrës./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego