“Shtëpia e Lirisë” prezanton planin për bujqësinë
Premtimin kryesor që Sali Berisha ju bën fermerëve të Lushnjes, në krah të kandidatit për kryetar bashkie Elton Bano, është shfuqizimi i nismës Ballkani i Hapur që sipas tij dëmton rendë interesat e prodhimit vendas dhe favorizon atë serb.
“Ju garantoj se Ballkanin e Hapur do ta hedhim poshtë, i cili është një nismë jashtëzakonisht i rrezikshëm për fermerët tanë. U detyroni ju të krahasohen me fermerët e Banatës, të cilët marrin subvencione të mëdha nga qeveria serbe.”
Edhe pse në një fushatë për zgjedhje të pjesshme lokale, Berisha shpalos dhe programin e qeverisë për bujqësinë pasi të vijë, siç thotë, në pushtet.
“Si qeveri, çdo vit, ne do rrisim buxhetin në mesataren e buxhetit të vendeve të rajonit dhe këtë do ta bëjmë që vitin e parë. Por këtë rritje buxheti, nuk do ta bëjmë për ta shpërndarë midis zyrtarëve të Ministrisë siç ndodh sot, por për ta shpërndarë tek fermerët.
Një tjetër premtim është ai për zerimin e taksave për prodhuesit vendas.
“Do vendosim subvencione për kokë, për prodhimin, por një gjë ju garantoj se fermeri nuk do ketë asnjë taksë në shitjet e tij.”
Berisha e akuzon qeverinë se me politikat e mbrapshta për bujqësinë po detyron familjet fermerë të braktisin vendin.
Tv Klan