Kryeministri Rama parashikon se edhe me përkrahjen nga diaspora do të arrijë deri në 1 milionë vota për Partinë Socialiste.
“Ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptareve dhe shqiptarëve që me votën e diasporës mund të shkojnë afro 1 milionëshit. Duhet të bëjmë çmosin që në këto zgjedhje të marrim rezultatin më të mirë të të gjithë kësaj serie fitoresh, nëntë fitoresh radhazi. Me 11 Maj kemi radhën e 10 dhe duhet të marrim fitoren me notën 10, duke filluar nga Tirana, ku qielli duhet të jetë kufiri”, u shpreh Edi Rama.
Këneta sipas Ramës kërkon të zhbëjë reformën në drejtësi.
“Ne jemi këtu udhëheqës të procesit transformues të drejtësisë dhe në vetë të parë edhe bartës të kostove më të mëdha të këtij procesi. Përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani”, tha kreu i qeverisë.
Rama u tha kandidatëve të tij për deputetë në kryeqytet se vetëm PS mund ta integrojë vendin në BE.
“Dikush mund të thotë që: po të gjithë këtu duan ta çojnë Shqipërinë në BE, edhe këneta BE, BE, BE thotë gjithë ditën. Gjithë bretkocat BE-në kanë në gojë. Asnjë lëkundje, asnjë ndalim i kësaj pune, asnjë çoroditje nuk duhet lejuar të ndodhi”, tha kryesocialisti.
Rama ka listuar 49 kandidatë për deputetë në kryeqytet ku janë përfshirë 5 ish opozitarë.
“Partia Socialiste iu ka dhënë të gjithëve mundësinë deri edhe ballistëve. Iu kemi dhënë mundësinë që të shohin nga ne nëse nuk duan të vdesin në kënetë”, tha Rama.
Klan News