Kryeministri i vendit Edi Rama në takim me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste të Qarkut të Tiranës u shpreh se zgjedhjet e 11 Majit kanë rëndësi kyçe pasi janë një provë për rrugëtimin drejt familjes evropiane dhe sigurimin e pasaportës europiane.

Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se nuk ka pasur një moment zgjedhor si ky me një peshë specifike gjeopolitike ku sipas tij bashkë me diasporën mund të shkojnë në 1 milion vota. Kreu i qeverisë u shpreh se për herë të parë mundësia e hyrjes në BE është e prekshme dhe aktuale.

Lideri socialist theksoi se ky është një moment kur ‘treni’ jonë i historisë kalon para nesh dhe duhet të vetëdijësojmë këdo që ky ‘tren’ ndalon shumë pak dhe nuk duhet humbur.

“Ajo që është më e rëndësishme është skuadra. Ne kemi sipas meje një skuadër që sot ju jep të gjithëve mundësinë të zgjedhin, ku të gjitha moshat në të dyja gjinitë, por në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat kanë mundësinë të gjejnë veten dhe të votojnë për veten. Ashtu sikundër si asnjëherë më parë ku PS ka një skuadër ku edhe të rinjtë janë të mirëpërfaqësuar, por ka edhe një karakteristikë të re që në skuadrën e 11 Majit ne kemi në të gjithë ekipin tonë edhe një përbërje domethënëse të atyre që kanë kapërcyer nga njëra anë tek tjetra dhe janë me ne, pasi në një proces të gjatë apo më të shkurtër kanë parë se sa palidhje dhe e kotë është që të besosh se mund të bëhet diçka e mirë për vendin dhe për njerëzit duke dalë dhe kërkuar vota për ata që janë përballë nesh.

PS është shumë më e gjerë se perimetri i anëtarësisë së vet dhe se shumëkush brenda nesh e percepton duke harruar që në fund të ditës ne jemi këtu mishërimi i vullnetit të afro 800, 000 shqiptarëve dhe shqiptareve që me votën e diasporës mund të shkojnë tek 1 milionshi.

Në fund ne duhet të jemi të gatshëm që PS t’jua vendosim në dispozicion të gjithë atyre që ndajnë me ne qëllimet e mëdha. Asnjëherë nuk ka pasur një moment zgjedhor si ky me një peshë specifike gjeopolitike. Sepse besoj se që nga zgjedhjet e para pluraliste këto janë  të parat që kanë një rëndësi të posaçme gjeopolitike për Shqipërinë. Për herë të parë mundësia e hyrjes në BE është e prekshme dhe aktuale. Asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim, por nuk ka qenë as e dyshuar nga partnerët tanë që Shqipëria është anëtare, por kjo nuk ka qenë konkrete. Është hapur një dritare që rrethanat e brendshme të botës e kanë hapur dhe ato rrethana janë përputhur me rrethanat tona ku si rezultat i arritjeve tona ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ky është një nga ata momente kur treni jonë kalon para nesh dhe duhet të vetëdijësojmë këdo që ky tren ndalon shumë pak në stacion sepse e tillë është mënyra si zhvillohet historia. Ne nuk duhet ta humbim këtë tren. Është sot, duke parë të gjitha ndryshimet, ekzistenciale që të jemi pjesë e BE. Këtu ka nevojë që të gjithë ne tu flasim njerëzve për rëndësinë e këtij momenti”, shprehet Rama.

/tvklan.al