Një ditë pas vendimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian për të pranuar shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, qeveria shqiptare ka shprehur gatishmërinë e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga plotësimi i pyetësorit që do të dërgohet nga Komisionin Evropian.

Në një takim të posaçëm me ministrat e kabinetit të tij, kryeministri Berisha kërkoi përkushtimin e të gjitha institucioneve për të dorëzuar në një kohë sa më të shpejtë dokumentin final që do t’i mundësoje vendit marrjen e statusit kandidat.

Sali Berisha: “Mendimi i djeshëm në këtë kontekst është thjesht një shkallë maksimale përgjegjësie për ne, e re dhe e madhe. Gjithçka mbetet në anën dhe në fushën tonë, sërish në rast se komisioni e dorëzon nga mesi i dhjetorit administrata dhe autoritetet shqiptare do ta dorëzojnë atë në fund të shkurtit. Ka idera se mund të ishte më e gjatë, po jo. Ne mund të punojmë më gjatë vetë, ta përfundojmë në dy muaj e gjysmë, çka do të thotë në rast se dorëzohet me 15 dhjetor, fillohet puna menjëherë.”

Edhe zv/kryeministri Meta shprehu angazhimin e tij për përgatitjen me përgjegjësi të këtij dokumenti, si një prej hallkave kryesore që i paraprin fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ilir Meta: “Unë kam besim të plotë që ne i kemi të gjithë kapacitetet, jo vetëm brenda qeverisë dhe administratës publike, por është parashikuar që të përfshihen edhe kapacitete të tjera, ekspertë ët tjerë që janë edhe jashtë administratës edhe në shoqërinë civile edhe në sektorin privat dhe besoj se është një proces tepër gjithëpërfshirës dhe shpresojmë që askush të mos mungojë të japi rolin dhe kontributin e tij. Po qeveria dihet që do të japi shembullin e parë.”

Duke vënë theksin tek bashkëpunimi i suksesshëm me opozitën sa i përket reformës zgjedhore, dhe certifikimit të zgjedhjeve nga ndërkombëtaret Berisha, ftoi kreun socialist Edi Rama t’i bëjë një lexim të drejtë vendimit që i hap dritën jeshile anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane.

Salin Berisha: “I ofroj dhe njëherë të gjithë disponibilitetin dhe gatishmërinë time dhe të mbarë qeverisë për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën. Pra, zoti Rama nuk është në interesin në radhë të parë të tij, por as të forcës politike, as të opozitës, të bëjë një lexim tjetër nga ky lexim që i bëhet zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe votës së lirë nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian.”

Në përfundim të këtij takimi qeveria u njoh me një panoramë të fazës parapërgatitore që grupi ndërministror taskforcë ka kryer në kuadër të strategjisë  për plotësimin e pyetësorit./tvklan.al