Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se mashtroi shqiptarët kur deklaroi se nuk ka kërkuar asnjë metër katror tokë në Gjipe.
Përmes një deklarate në rrjetet sociale ai thotë se ëma e kryeministrit Rama dhe familja Koleka, së cilës ai i përket ka marrë 224 mijë metra katrorë tokë pa asnjë dokument në këtë fshat turistik.
Sali Berisha, kryetar i PD: Me kodin e tij të heshtjes, Edvin Gjipea ka pranuar gjithashtu se ai, domethënë nëna e tij e ndjerë dhe familja Koleka, kanë marrë pa asnjë dokument zyrtar kadastral apo dokument shpronësimi, 224 mijë metra katrorë tokë në gjirin e Gjipesë.
Më tej ai i shtron edhe disa pyetje të tjera publike kryeministrit Edi Rama që kanë të bëjnë me angazhimin e arkitektit të famshëm “Viny Maas” për studimin e tokës në Gjipe.
Sali Berisha, kryetar i PD: A ka bërë ndonjë projekt, arkitekti i famshëm “Winy Maas” për zhvillimin e zonës dhe për resort turistik në tokën e vjedhur të gjirit të Gjipesë apo të plaçkitur pa asnjë dokument kadastral apo shpronësimi që të vërtetojnë pronësinë e nënës tuaj të ndjerë dhe familjarëve të saj në këtë tokë?
Kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë akuzuat se ka përfituar prona në bregdet, ndërsa ka paralajmërouar edhe padi për shpifje ndaj atyre që i kanë artikuluar ato.
Tv Klan