Një ditë pas mosbindjes civile të opozitës që çoi në bllokimin e 6 segmenteve rrugore nga veriu në jug për afro tre orë, Sali Berisha e sfidoi Kryeministrin Rama duke e ftuar të krijojë qeverinë teknike.
“Shqiptarët të sfidojnë! Pse ke frikë Edi Rama? Krijo qeverinë teknike, dhe të shohim kush i fiton zgjedhjet!”
Teksa i kujtoi se ka ezauruar 2 nga 77 format e mosbindjes civile, Edi Ramën e paralajmëroi edhe për dhunën që sipas tij policia ushtroi ndaj protestuesve.
“Herën tjetër do të jenë 3 ditë. 3 javë po të jetë nevoja. Dhe jo bllokim rrugësh. Por okupim të atyre institucioneve pa të cilat narkoshteti nuk do mund të funksionojë. Prandaj Edi Rama ke vetëm një mundësi! Së pari, të ndërpresë dhunën dhe terrorin ndaj demokratëve, se për çdo akt që po ndërmerr do të bëhet përgjegjës, po ai vetë.”
Sikundër kryeministri, edhe Berisha premton rritje të pensioneve.
“Çdo pension do të rritet me 20% brenda mandatit të parë. Minimumi jetik prej 200 Eurosh.”
Berisha foli për një mision fisnik, nga i cili tha se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet deri në fitoren e kauzës së saj.
Tv Klan