“Aksioni do vijojë deri në krijimin e qeverisë teknike”
“Aksioni do vijojë deri në krijimin e qeverisë teknike”, kështu ka deklaruar për gazetarët kryetari i PD Sali Berisha para se të futej në banesën e tij.
Ai theksoi se pavarësisht procesit gjyqësor ndaj tij, opozita do udhëheqë revoltën e përgjithshme kundër qeverisë. Për protestën nuk dha një datë ekzakte, por pohoi se do zhvillohet shumë shpejt. “Aksion mbarë popullor këtë herë”, theksoi kryedemokrati.
Berisha flet para mbështetësve: Çfarë gjeta në SPAK
Ish-kryeministri Sali Berisha ishte në SPAK këtë të mërkurë ku u njoh me akuzën dhe se është marrë i pandehur për çështjen “Partizani”.
Pas daljes nga SPAK, ai pati një deklaratë për mbështetësit e tij, duke treguar se çfarë gjeti brenda prokurorisë… Lexo më shumë
Merret i pandehur nga SPAK, Berisha: Asgjë nuk ndryshoi!
Kreu i demokratëve Sali Berisha ka dalë nga SPAK. Për rreth 20 minuta, atij i është komunikuar akuza zyrtare dhe është marrë i pandehur për çështjen e ish-klubit sportiv “Partizani”. Siç deklaroi për mediat, akuza ndaj tij për “korrupsion pasiv” nuk ka ndryshuar.
“Ato që kanë patur, asgjë tjetër përveç 500 faqe mashtrime, mashtrime, mashtrime…Më ka korruptuar dhëndri im, ke parë ti?!”, theksoi Berisha.
“Horra që shkojnë nga gjykatësi në gjykatës dhe u bëjnë format më të neveritshme të presionit me dokumenta anti ligjore. Aty gjindeshin…dokumente të Irenës me 5 mbiemra e cila i ruante Dumani në kasafortë dhe që tregonin se është një delinkuente e dënuar. 4 miliardë euro të Ramës dhe Alabbar…para të krimit të organizuar në Shqipëri. Asgjë nuk ndryshon, zbatim i një urdhri politik. Ajo është themelore është se nuk ekziston asnjë fakt apo dokument që dëshmon se në këtë proces ka pasur shkelje të ligjit. S’ka asnjë firmë të Sali Berishës”, shtoi ish-kryeministri.
“Po shkoj të marr akuzën politike”, fjala e plotë e Sali Berishës para SPAK
Më sipër mund të ndiqni fjalimin e plotë të Sali Berishës para ambienteve të SPAK. Kreu i demokratëve akuzoi Prokurorinë duke i konsideruar akuzat ndaj tij politike.
Përveçse sipas tij nuk në dosjen “Partizani” nuk ka çështje penale, shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë para publike, por ka përfituar nga zbatimi i ligjit.
Berisha: Më izoluan në vitin elektoral, vendim i Ramës…
Në përmbyllje të deklaratës së tij para SPAK, kryedemokrati Sali Berisha tha se privatizimin e kompleksit “Partizani” e ka bërë Partia Socialiste. Ai shtoi se Edi Rama kërkon të zgjasë qeverisjen e tij, duke e lënë të izoluar pikërisht në vitin elektoral.
“U vura në arrest me pretendimin se kam nisur procesin e privatizimit dhe se kam ndryshuar destinacionin. Privatizimin sipas dokumentave e ka kryer PS. Shndërrimin e tokës nga terren sportiv në truall ndërtimi e ka bërë Edi Rama. SPAK në vend që të arrestojë Ramën, i cili i dha bonus kompanisë të paregjistruar, ata kanë arrestuar një drejtor bashkie. Sot, unë po shkoj të marr akuzën politike dhe të njihem me materialet e manipuluara, akuzë pa asnjë provë, fakt e dokument, por vetëm të diktuar nga Rama. Në gjykatë nuk është përmendur asnjë herë emri i Sali Berishës, ndërkohë që është mbajtur 9 muaj në arrest. Ky vendim s’ka bazë ligjore, duke e lënë Berishën të izoluar në vitin elektoral, kjo është dëshmi se Rama është i gatshëm të bëjë çdo gjë për t’i zgjatur jetën regjimit të tij duke kthyer krimin politik në votë dhe votën në krim”, tha Berisha.
Ai përsëriti akuzat e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme.
“Drejtësi që amniston krimin, vjedhjen e miliardave, që merr milionin për të mos bërë pyetjen. Që merr peng gjykatës e prokurorë? Do ua jap faktet. Kjo është drejtësia private e Edi Ramës!”
Berisha në SPAK: Në dosjen “Partizani” nuk ka çështje penale. Hetimi zgjati sa një luftë botërore
Berisha pati një deklaratë për shtyp, ku tha se SPAK e ka hetuar në tre breza, gjer te mbesat në një kohë që ato nuk kishin lindur ende. Hetimi sipas tij është kryer me urdhër politik për t’i shërbyer Edi Ramës.
Ai shtoi se SPAK e la në arrest shtëpie në mënyrë të paligjshme dhe se hetimi ndaj tij zgjati sa një luftë botërore në një kohë kur dosja “Partizani” nuk ka asnjë çështje penale.
“Prokuroria politike private e Edi Ramës, SPAK bazuar në kallëzimin e rremë të kryetarit të grupit parlamentar të PS dhe ish-ministrit të brendshëm Taulant Balla ka hetuar Sali Berishën në tre breza, gjer te mbesat e dhe qysh prej një kohe kur ato nuk kishin lindur ende…
Nga ky hetim që zgjati 4 vite sa një luftë botërore, rezulton se në dosjen Partizani nuk ka absolutisht çështje penale. Mungon fakti penal dhe shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë para publike, përkundrazi ka përfituar nga zbatimi i ligjit”, tha Berisha… Lexo më shumë
Berisha mbërriti me makinën e tij në ambientet e SPAK ku shoqërohej nga avokati Genc Gjokutaj.
Në një moment, Berisha doli dhe përshëndeti mbështetësit e tij që ishin mbledhur për të para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Ndërkohë në ambientet e jashtme të SPAK janë me dhjetëra simpatizantë të Berishës në shenjë solidariteti me të.
Grumbullimi i tyre nga ana e strukturave të PD është quajtur një “grumbullim solidariteti” pasi zyrtarisht nuk ka njoftim për një tubim të mundshëm nga ana e PD.
Me flamuj të PD-së në duar mbështetësit presin kreun e Partisë Demokratike. Ndërkohë organizim ka edhe nga forcat e sigurisë.
Sali Berisha zyrtarisht i pandehur për korrupsion pasiv nga SPAK (Të gjitha zhvillimet)
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u paraqit sot në orën 12:00 në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai u mor i pandehur nga SPAK dhe iu komunikua akuza zyrtare e “korrupsionit pasiv” për çështjen e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Prokurorët e SPAK i kanë dërguar fletëthirrje edhe Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit për t’u paraqitur në prokurori këtë të Mërkurë.
Kreu i opozitës ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” që nga data 30 dhjetor e vitit të kaluar. Ndërkohë ka zhvilluar disa beteja me drejtësinë për të fituar lirinë, por kërkesat e tij janë rrëzuar nga ana e gjykatave.
Në 20 tetor të vitit 2023 Gjykata e Posaçme e përfaqësuar nga gjyqtarja Irena Gjoka firmosi 3 udhërarreste, në mungesë masë sigurimi “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte” për Berishën dhe Bektashin dhe “arrest në burg” për Malltezin. Më pas ky i fundit u lirua nga Gjykata e Apelit e cila e dërgoi në “arrest në shtëpi”.
Ndërsa për Berishën duke qenë se nuk u paraqit për të firmosur të hënë e parë dhe të 3 të çdo muaji, SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit të Berishës dhe kërkoi nga gjykata ndryshim të masës së sigurimit. Togat e zeza vendosën më 30 dhjetor 2023 që Berisha të hetohet nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.
/tvklan.al