Selia e OSBE-së vazhdon të ruajë ekuilibrat midis dy forcave të mëdha politike në vend për sa i takon pikave të nxehta ku ka ngecur projektligji i pronave që ajo vetë e ka hartuar. Lideri i partisë demokratike Sali Berisha u takua me kryetarin e OSBE-së Osmon Lipponen që sipas tij, ka pranuar kërkesën e partisë demokratike që kryetari i komitetit të kthimit dhe kompensimit të pronave të emërohet nga presidenti.

Sali Berisha: “OSBE-ja i qëndron plotësisht, pa diskutim OSBe-ja mbron ligjin e vet.”

Kryedemokrati Berisha dënon vendimin e parlamentit që nuk i jep zgjidhje legalizimit të të shpërngulurve nga rrethet. Ideja e socialistëve, që ky problem të zgjidhet midis banorëve dhe pronarëve, sipas Berishës, ka pasoja të mëdha konflikti.

Sali Berisha: “Nuk mund të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveçse një zgjidhje shtetërore, pra në të cilën shteti merr përsipër të kompensojë plotësisht pronarët dhe pastaj me ligj të veçantë bën legalizimin e këtyre banesave, por ka zgjidhë në mënyrë përfundimtare çështjen e pronarëve.”

Berisha shprehet se shteti duhet të shlyejë përgjegjësitë që ka për lëvizjen e lirë qytetare./ tvklan.al