Projekt/rezoluta e opozitës që i kërkonte qeverisë të tërhiqej nga qëndrimi i mbajtur në OKB afro një muaj më parë, ku u votua kundër kërkesës së SHBA për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit solli sërish debate në Kuvend. Ish-kryeministri Sali Berisha, qëndrimin e Shqipërisë në këtë votim, e sheh si të diktuar nga Turqia dhe sipas tij kjo do të shkaktojë një prishje të marrëdhenieve me aleatin më të madh që ka vendi, SHBA.
Por kryeministri Rama duke ironizuar rezolutën e demokratëve dhe deklaratat e paraardhësit të tij, e komentoi rihapjen e këtij debati si një manovër për të tërhequr vëmendjen nga ajo që ai e quan drejtësia e re që po nis të veprojë.
Ndërsa kreu i demokratëve tha se vota kundër SHBA është e keqja më e vogël që qeveria Rama po i bën Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm sqaroi se qëndrimi i Shqipërisë për votimin në OKB nuk ka ndryshuar nga votimet e kaluara dhe renditi të gjitha rezolutat ku Shqipëria ashtu si në 21 Dhjetor ka patur qëndrim të ndryshëm me SHBA për rastin e Izraelit.
Dhe si në çdo debat mes ish-kryeministrit dhe kryeministrit, nuk munguan as batutat.
Ndërkohë që në parlament zhvillohej debati për këtë çështje Partia Socialiste iu drejtua kuvendit me një rezolutë paralele ku i kërkoi qeverisë që në përputhje me interesin kombëtar, të vijojë të bashkëpunojë për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimin në tërë rajonin e Lindjes se Mesme, me aleatët dhe partnerët strategjikë, në radhë të parë SHBA dhe BE.
Tv Klan